E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta e Metës, nga rruga në KQZ, e kthim

LSI-ja, mblodhi dje ca anëtarë e simpatizantë të saj, dhe pas një sajese të një biçim “Konvente”, sajoi një biçim “Proteste”. Në historinë modeste të pluralizmit shqiptar, nuk kanë munguar protesta, për çështje parimore të gjithanshme, ndërsa së fundi, të paktën dy muajt e fundit, nuk kanë munguar protesta për persona të nominuar.
Kështu më se një muaj më parë, LSI-ja, më shumë për të treguar forcën para PS-së, në luftën e flamujve e banderolave, lëshuan turmat e tyre, për vdekjen aksidentale të Kosta Trebickës, dje, këtë herë vetëm, sërish LSI-ja, duke menduar se është rritur më shumë nga një muaj më parë, dhe për t’ia treguar këtë “forcë” PS-së, lëshoi përsëri turmat në rrugë, këtë herë për të protestuar pse, Genti Shala rrezikon të mos jetë më anëtar i KQZ-së.
Për ata që nuk e njohin, Genti Shala, është anëtari i propozuar nga LSI-ja për në KQZ. Ata që nuk e njohin këtë emër, nuk duhet të ndjehen me faj apo me turp, pse, bie fjala, njohin më shumë Kosta Trebickën, nga Genti Shala. Kjo kategori, që nuk e njohin Genti Shalën, nuk duhet të ndjehen keq, sepse, ky person është aq anonim e jomediatik, sa, në qoftë se do të kuotohej në bastet e tipit sportiv, ata që do të zgjidhnin të sfidonin anëtarësinë e simpatizantët e LSI-së, sesa nga këta e njohin Genti Shalën, kanë shansin të fitojnë këtë bast. Anonimati i Genti Shalës, buron jo aq për backgroundin e tij, sesa për statusin e thjeshtë dhe vetëm të menazhuesve të procesit zgjedhor, sikurse me të drejtë, më në fund kanë arritur të shndërrohen më në fund të gjithë anëtarët e KQZ-së.
Duket, këtë gjë nuk mund ta gëlltisë Ilir Meta, kreu i LSI-së, që kur, në vitin 2001, duke shijuar postin e kryeministrit në formën e fatit të rënë nga qielli, organizoi një palë zgjedhje, raporti në KQZ, figuronte të ishte 6 me 1. E thënë më thjesht, Klement Zguri, ishte i vetmi emër i zgjedhur si anëtar i KQZ-së, me propozim të ish-opozitës (mazhorancës së sotme), ndërsa të gjashtët e tjerë, i përkisnin ish-mazhorancës (opozitës së sotme).
Sot, pas shtatë vjetësh, askush, sado ta shtrydhë kujtesën e tij, nuk mund të na gjejë një ankesë të Ilir Metës, për këtë pabarazi ekstreme, që të besojmë se sot, kur balanca në KQZ, është 5 me 4 (pritet që të zbresë në nivelin 4 me 3), jemi më shumë “të skllavëruar”, apo se jemi në kufijtë e një “fatkeqësie kombëtare”, sikurse artikulonte dje Ilir Meta, krahasuar me vitin 2001. Sa për partitë e tjera, aleate të PD-së, në kohën e Ilir Metës, konsiderohej luks të pretendonin, jo të kishin, një anëtar në KQZ.
Ky disbalancim midis përfaqësuesve të mazhorancës e opozitës në KQZ, vazhdoi edhe në vitin 2002, kur ish-mazhoranca ruante privilegjin të kishte 6 përfaqësues, karshi 1 përfaqësuesi të ish-opozitës. Një vit më pas, në vitin 2003 pati një “përmirësim”, kur raporti zbriti në nivelin 5 me 2, sigurisht në favor të ish-opozitës dhe Klement Zgurit, iu bashkua si propozim i ish-opozitës, Dod Prenga.
Kur e panë se e kishin bërë baltë, dhe kur raportet ndërkombëtare pas çdo procesi zgjedhor fshikullonte mënyrën e strukturimit dhe të funksionimit të KQZ-së, në vitin 2004, ky institucion mori një konfigurim normal, kur raporti tashmë ishte 4 përfaqësues të ish-mazhorancës dhe 3, përfaqësues të ish-opozitës. Me një vendim të KLD-së, u mundësua që Çlirim Gjata, të zgjidhet anëtari i tretë i ish-opozitës, në KQZ.
Zhvillimet e mëpastajme kanë një natyrë tjetër, kur u desh që në verën e vitit 2006, Ndre Legisi, i LSI-së, të kërcente si kaproll, karrige më karrige, tavolinë më tavolinë të sallës së seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos lënë në këmbë asnjë vazo lulesh që i dilte para, që të siguronte të drejtën për një vend në KQZ, në emër të LSI-së. Për ruajtjen e balancimit, në vitin 2006, u vendos që edhe një tjetër parti e vogël e mazhorancës aktuale, sikurse është PDK-ja të siguronte edhe ajo një vend në KQZ.
Ilir Meta, nga pozitat e kreut të LSI-së, mund të nxjerrë sa herë të dojë anëtarët e simpatizantët e partisë së vet në rrugë e sheshe, për çdo emër të mundshëm të përveçëm që mund t’i vijë në mendje, por për këtë duhet të ketë kurajën dhe mirësinë ta shesë këtë protestë si një tentativë “për matje forcash” me PS-në, sesa të na mbushë mendjen se ai po “digjet e tretet”, për të shmangur një “Megadushk”.
Duke shpjeguar etimologjinë e fjalës “Megadushk”, nuk mund të lihet pa përmendur se rrënja e kësaj fjale, është “Dushk”. Për ata që mund të kenë ndonjë ngatërresë në kohë, duhet kujtuar se Dushku, përveçse një fshati, si koncept administrativ në rrethin e Lushnjes, është edhe një fshat në kuptimin politik, që nxori të ashtuquajturin “parlamentin e Dushkut”. Në vijim të nxitjes së kujtesës së gjithsecilit, nuk mund të lihet pa përmendur se, në këtë fshat u përsëritën zgjedhjet e vitit 2001, dhe pas kësaj përsëritjeje, ky fshat nxori, si rezultat i këtij makinacioni, shumë më shumë deputetët, nga çka sot LSI-ja dhe PS ’91 së bashku. Por, kjo nuk është asgjë, por të kujtojmë se atëherë, Ilir Meta, ishte, midis të tjerave edhe Kryeministri i këtij fshati, që atëherë quhej “Dushk” dhe që sot, për meritë të bëmave të nxitura nga ish-Kryeministri, ai “ish-i”, ka të drejtën legjitime që me krenari këtë fshat ta quajë “Megadushk”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›