E mbushur me turistë, Rama ndan pamje nga mbrëmja në Vlorë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian, por edhe kulinarinë e mikpritjen vendase.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga mbrëmja në Vlorë, ku shëtitorja e Lungomares por edhe rrugët e qytetit ofrojnë aktivitete dhe hapësira atraktive për çdo grupmoshë.
Qyteti bregdetar i Vlorës është një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.
Përveç plazheve në gjirin e Vlorës, Sazani dhe Karaburuni janë po ashtu destinacione tërheqëse për turistët vendas e të huaj, të cilët udhëtojnë nga porti i Vlorës me anijet turistike.
E cilësuar si perla e Rivierës shqiptare, Vlora është tejmbushur këtë sezon me turistë vendas dhe të huaj të cilët kanë shijuar bregdetin shkëmbor me ujërat e kristalta./
/m.m/a.f/