E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mjera “transparencë”, në ç’duar ka rënë!

Si shumë e konsumuar po na bëhet kjo „Transparenca“, në fjalorin propagandistik të bezdisshëm të PS-së. është bërë e padurueshme, sepse një parti serioze nuk duhet ta bëjë kalin e betejës një fjalë që është negacioni i transparencës, që nga mëngjesi herët e gjer në mbrëmjen e ndërrimit të datave.
Le të japim disa shembuj për të përligjur këtë të vërtetë, ndër rastet e panumërta të mohimit tërësor të transparencë, fjalë e cila synon të bëjë një shpëlarje të trurit, si dikur vaktit. Edhe në këtë pikë propaganda shurdhuese e PS-së, nuk mundet dot t’i shmanget - qoftë edhe për t’u dukur si e rinovuar, - agjitpropit të hershëm të nënës-parti. Le ta nisim me kohët e fundit. Mbledhjet e nbyllura për të mbytur zërin e LMN-së, kur duhej të mësynte mendimin ndryshe që iu kundërvu Edi Ramës, për humbjen e këtij në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009, ishin një tipar i dukshëm intolerance. Mendimi ndryshe, sipas të cilit E.Rama i humbi zgjedhjet se i personalizoi ato, (si edhe për një varg gabimesh të tjera), duhej asfiksuar me ashpërsinë më të madhe. Përndryshe do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme, siç kishte bërë paraardhësi i tij, pas zgjedhjeve të 2005-s. Këtu e ka fillesën kazusi fiktiv për të gjitha zallamahitë dhe gjurullditë e mëpastajme, në të cilat u përfshinë të gjithë keqbërësit dhe mëkatarët e diktaturës, si edhe e gjithë administrata e bashkive të majta dhe të gjithë mitingashët e blerë ashiqare për trazira.
Të gjithë ata që lexojnë me interes gazetat, e mbajnë mend atë muhabetin e shpullës që hëngri Rudina Seseri nga shefi i saj. Ajo iku e revoltuar për në SHBA. Por erdhi sërish. Prepotenti në detyrë, tashmë, dërgoi njërin ndër jesmenët e tij në Rinas, për ta pritur me një tufë lulesh të ardhurën e pezmatuar. Nëse ngjarja ishte një thashetheme, kjo mbeti mister, për më tej. Temë-Tabù. Si stalinizmi i E.H.-s, pas antishqiptarizmit të tiranit të BS, të cilën e nxorën në dritë Milovan Gjilasi dhe Eduard Kardelji, që e vumë në dukje të parët atë gëlltitjen në adresë të vendit tonë. Te ne u shuan nën surdinë brohoritjet për “Stalinin e Madh”, qysh në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar. Por statujat e Stalinit mbetën të paprekura, amà, kur këto i lanë piedestalet bosh, fill pas vitit 1956, në të gjithë Europën e Lindjes komuniste.
Nxjerrja e kokës së Kalit të Trojës, Arben Malajt, në LMN, është njëra ndër misteret e tjera të paqartësive ndaj opinionit publik. Tani ky person e ka njërën këmbë te LMN-ja, tjetrën te PS-ja e Edvinit. Përçarja është stil pune e këtij të fundit. Por ngjarja vetë u la nën pelerinën e errët të misterit të radhës. “Transparenca” në grevën e bulevardit kryesor, “Dëshmorët e Kombit”, është edhe ajo, e mbështjellë me atë pelerinën e errët që sapo cekëm. Pasi bënë hyrje-daljet triumfale në parlament, duke u vënë dridhmat prej kryetarit të beftë se s’kishte datë ligjore për ruajtjen e rrogës së deputetëve të tij, së fundi ia behën, taaa!- mirë se ju gjetëm! Disa nga të paduruarit që do të bënin betimin édhe pa dëshirën e Ramës, i kujtuan këtij se temperatura kishte arritur pikën e vlimit! Ata që, këtë herë, ligjshmëria e cenuar do t’iu binte në kokë, ia trandën kapadaillëkun kryetarit në detyrë. Mujshia e tij e shfrenuar pësoi, tanimë, atë thënien “Ndalu, beg, se ka hendek!”. Kështu hynë e dolën në parlament, duke gjetur ujdinë edhe me kryetarin abuziv. Por transparenca në pikë të hallit lëngoi përsëri thershëm, duke gjetur zhigla, sërish antiligjore, që të dilnin nga parlamenti (dhe të hynin kur të donin), duke parashtruar ultimatumet e paligjshme të radhës! E shndërruan parlamentin në bakallhane! Jo vetëm, por bllokuan edhe bulevardin, përballë Kryeministrisë në çadra të parapërgatitura, gjë që dëshmon për të papriturat e “transparencës” së tyre! Këto mistere të dhunës i kishin përvetësuar si ustallëk të “të paharruarit” të tyre, sipas një shprehjeje të Ramiz Alisë. As në shesh të Bastijës, as në ShanzElizé, as kurrkund në botë, nuk kishin bërë vakí të vënët në provë të demokracisë, në sfida të tilla! U bë një rrokopujë, që s’e njeh qeni të zonë! Thuajse u paralizua qarkullimi rrugor, por kush do t’ia dijë? Për leje, as që bëhet fjalë! Kërkohej të bëhej show politik, me çdo kusht! Bashkiakët e Ramës u filmuan se merrnin pará në dorë për shërbimin e tyre, tanimë pa droje farë për fshehtësinë, palé për transparencën e veprimeve të tyre, si në lozhat masonike! Ndërkaq duheshin paguar edhe rrogat e punës së pakryer (ka pare bashkia! Kanë pare biznesmenët e majtë!) , ashtu siç po ndodhte edhe me administratën në Kryeministri, që punonte në kushte anormale, nga zhurmnaja bubulluese e anarkistëve kundër shtetit ligjor. . .Shoferët shfrynin për naftën lumë të harxhuar, me 3 km/orë! “ç’na bëri ai i marri!”- nxirrnin dufin e tyre me njëri-tjetrin, duke i ruajtur makinat nga thyerjet bërryl më bërryl, të fenerëve të tyre.
Por duroi, duroi edhe Krokodili, që e hapi gojën, më së fundi! Dhe shefi e ndërpreu grevën, se u thirr për shpjegime! Tani, pas kthimit nga Purgatori, ku duhej të fliste për gjynahet në shpërfillje flagrante të ligjit, - si në kohën e diktaturës së E.H.-s, - duke lëmuar zërin e mëparshëm që kishte volumin e Hitlerit, e duke e shndërruar atë si të një njeriu arsyetues! Por ishte vetëm një fasadë, si ato me shigjeta! Dje doli me një frazë që ua ngriti përsëri nervat, atyre që s’patën kohë të ndërronin stacion televiziv: “Do t’i qëndrojmë gjer në fund transparencës!”. E mjera transparencë ç’po heq, në gojën e një të ndërliquri!
Mungesa absolute e transparencës u vu ré në ata “të pangrënë” që dolën prej grevës, si me shkop magjik, “faqekuq, barkalecë, e me zë të trashë”, si në një shkrim të Vjollca Skejës”. U thyhen të gjitha rekordet e Ginesit të tri javëve, pa vënë gjë në gojë! Le të merret më herkuliani prej tyre dhe të vihet në një ekspertizë në një juri të pavarur, sesi do t’u mbahej fuxhuti gjallë, pas një kohe kaq të gjatë 19-ditore. Një risí spektakolare në të gjithë historinë e grevave, në shkallë planetare! Për hir të transparencës së sakatuar, asnjë gazetar i besuar (si në kohën e biografive enveriane) nuk duhej të hynte brenda, në ngujimin e çadrave si të kohëve përtejhaxhiqamiliste! Shteti nuk mund të ndihmonte në spitalet e veta. Kishin spitale private! Asnjë analizë shtetërore. Do të dilte superngrënia! Gjithçka në sekret të plotë.
Dhe tani, si për një tallje nga më të shëmtuarat, kryetari trushkulur i mëkatarëve, autori i përdalë i “Refleksioneve”, po na del e na jep leksione transparence! Njëri nga intelektualët tanë të shumtë na thotë, si me humor, se i ka pëlqyer një fjalë e Stefan Cvajgut, për ta çuar vendin në amok! – në tërbim anarkik! Ujku mjegull do!
Por për ata që nuk e duan ligjshmërinë dhe shtetin ligjor, ky i fundit ka ligjet e veta demokratike, për t’i vënë në fré të paligjshmit. Disa kanë nevojë për këmishën e forcës...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›