E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugovizmi, si nacionalizëm demokratik

Që nga vdekja e presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, analistë dhe opinionistë të ndryshëm e në shumë pak raste studiues dhe njohës të filozofisë e teorisë politike, kanë analizuar e “konstruktuar” atë që sot po quhet trashëgimi e filozofi politike e Rugovës ose Rugovizëm. Përveç disa studiuesve të shquar, njohës të mendimit teorik/filozofik e politik të Rugovës, shumica prej këtyre “opinionistëve” e “analistëve” të tjerë, në mendimet e tyre “analitike” mbi rugovizmin, i huqin elementet thelbësore të tij ose edhe e kontestojnë totalisht ekzistimin e një filozofie politike të quajtur rugovizëm. Madje, edhe një pjesë e madhe e figurave qëndrore të partive politike që pretendojnë se janë pasuese të rugovizmit (si LDK-ja dhe LDD-ja), në deklarimet e tyre se çka kuptojnë me rugovizëm apo filozofi politike të presidentit Rugova, janë tërësisht jashtë asaj çka vërtetë e përbën Rugovizmin. Këta zyrtarë të këtyre partive në deklarimet e tyre për filozofinë politike të Rugovës e reduktojnë atë në tolerancë politike si pasojë kinse e natyrës së butë dhe civilizuese të Rugovës në raport me komunikimin si dhe në pacifizmin si formë të realizimit të synimeve politike. Gjithashtu, kur flitet për pacifizmin e Rugovës, flitet në kontekst të pozicionimit të Rugovës për një qasje të tillë politike (edhe për shkak të natyrës së tij civilizuese) dhe nuk shihet pacifizmi i Rugovës si veprim politik/strategjik në kontekst të realizimit të pavarësisë së Kosovës, siç ishte në të vërtetë.
është e rëndësishme të kuptohet se Ibrahim Rugova përveç se ishte intelektual me aftësi civilizuese të komunikimit, pra që nuk binte pre e diskutimeve dhe polemikave të politikanëve ekskluzivisht të dështuar (si Qosja, Demaçi apo më vonë elita militante), filozofia e tij politike apo idetë e tij politike për Kosovën ishin totalisht në përputhje me nacionalizmin dhe demokracinë moderne. Pra, Rugova ishte elitari nacionalist/modern që nacionalizmin shqiptar të Kosovës e lidhi me Lirinë dhe Demokracinë. Rugova e donte Kosovën të pavarur nga çdo totalitarizëm i jashtëm dhe i brendshëm Në vizionin e tij, Kosova nacionale moderne i kishte rrënjët thellë në Antikitetin e Qytetërimit Përendimor. Rugova duke qenë njeri i dijes dhe duke pasur rreth vetës një elitë shkencëtarësh dhe patriotësh shqiptarë, si Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Mark Krasniqi, Sabri Hamiti, Buxhovi, Kraja etj, ishte thellësisht i vetëdijshëm se realizimi i Kosovës së pavarur paraqiste realizimin e nacionalizmit shqiptar. Meqë shqiptarët aktualisht nuk kishin arritur të kishin një shtet të vetëm të përbashkët (për shkak të rrethanave politike e historike), Kosova e pavarur do të paraqiste shtetin e dytë ku do të realizohej dhe garantohej qenia nacionale shqiptare.
Në këtë vazhdë, kjo elitë nacionale politike e udhëhequr nga Rugova, e shpalli deklaratën e dy korrikut dhe e themeloi shtetin shqiptar të Kosovës duke e miratuar Kushtetutën e Kaçanikut, në të cilën sanksionohej se “Kosova është shtet demokratik i kombit shqiptar...”. Ndërsa, siç thotë Jusuf Buxhovi, bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pjesëmarrës në zhvillimet e sipercekura, “Deklarata e dy korrikut dhe Kushtetuta e Kaçanikut, janë hartuar dhe miratuar me mbështetjen e aleatëve amerikanë dhe evropianë (veçanërisht gjermanë)”. Pra, siç mund të konstatohet, veprimtaria politike e elitës politike të prirë nga Rugova në fillim vitet ’90 e tutje, ishte thellësisht nacionale dhe e mështetur mbi vlerat e demokracisë dhe lirisë, ndërsa pacifizmi politik i shpërfaqur përmes themelimit të shtetit paralel, demostratave dhe protestave demokratike e jo të dhunshme nga ana e shqiptarëve, si dhe diplomacisë intenzive në senzibilizimin e faktorit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës, paraqiste metodologjinë politike më adekuate për ruajtjen e qenies kombëtare në Kosovë (gjë e cila do të jetë kruciale në bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se Kosova duhet të jetë e pavarur), si dhe për realizimin e synimit të themelimit të shtetit shqiptar të Kosovës.
Pra, politika paqësore e Rugovës gjatë viteve ’90 ishte strategjike dhe racionale për faktin se ajo synonte të ruante strukturën nacionale shqiptare të popullsisë në Kosovë, duke mos organizuar atëherë luftë të armatosur kundër Serbisë/Jugosllavisë, e cila gjë pastaj do të jetë e pakapërcyeshme për faktorin ndërkombëtar kur ai do ta pranojë pavarësinë e Kosovës si opcionin e vetëm real për zgjidhjen e këtij problemi. Dihet mirëfilli se sot pavarësia e Kosovës dhe ndërtimi i shtetit i realizuar sipas parimeve të Ahtisaarit, nuk e themelon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës as mbi të drejtën historike të shqiptarëve, sepse duke e nacionalizuar si serbe një pjesë të trashigimisë kulturore të Kosovës dhe duke krijuar zona të mbrojtura serbe, Ahtisaari e ka legjitimuar propagandën e Serbisë se “Kosova është djepi i kulturës dhe religjionit të tyre”, pastaj, Kosova nuk e ka fituar pavarësinë as mbi të drejtën juridike e politike, sepse ajo sot po ballafaqohet me probleme të kësaj natyre si pasojë e mospranimit nga këshilli i sigurimit dhe asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Pra, nëse sot Kosova është e pavarur, edhe pse jo e ndërtuar sipas parimeve të elitës nacionale të viteve ’90 të prirë nga Rugova deri kur ai vdiq (2006), këtë pavarësi ajo e ka fituar dhe i është mbështetur ndërkombtarisht mbi një farë të “drejte demografike a humanitare”, pra sepse shqiptarët (e gjallë) janë shumicë në Kosovë dhe asesi s’mund të futen sërish nën Serbi, e ndryshe do të ishte nëse ata do të ishin në shumicë të vdekur apo të tretur diku në Australi, Zelandë apo Kanada, si emigrantë pa dokumente që nuk do të vërtetohej se kanë qenë banorë të Kosovës (sipas planeve serbe). Pra, këtu qëndron rëndësia dhe domosdoshmëria e pacifizmit si metedologji politike për të realizuar kauzën nacionale, duke u siguruar që qenia (nacionale) nuk po cenohet pariparueshëm, siç do të cenohej po që se shqiptarët e Kosovës do të udhëhiqeshin (gjatë viteve ‘90 e tutje) nga adhuruesit e revolucioneve lindore, duke bërë luftëra pa qenë të armatosur dhe të aftë për t’i bërë ato. Ndërsa, shteti i Kosovës do të shkojë duke u legjitimuar dhe legalizuar ndërkombëtarisht, vetëm për aq sa Kosova do të ndërtohet sipas parimeve të Ahtisaarit (të mbështetura nga elita militante e prirë nga Thaçi, që erdhi në pushtet në Kosovë pas vdekjes së Rugovës), e kjo i bie që ajo të mos jetë shtet që realizon aspiratën nacionale të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të dytë (ku pakicat e tjera kombëtare asesi nuk janë të përjashtuara), dhe ku qëndrimi i ndaj bashkimit kombëtar shqiptar do të jetë krejt refuzues.
Prandaj, përfundimisht duhet kuptuar që Rugovizmi si filozofi dhe veprimtari politike e Ibrahim Rugovës, liderit nacional të shqiptarëve të Kosovës dhe Presidentit historik/themeltar të Republikës Shqiptare të Kosovës (Republika e I-rë 1990-2008. Deklarata e re e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 bjen në kundershtim me aktet politike/historike nacionale të viteve ’90 si dhe rezoluten e vitit 2005 të Kuvendit të Kosovës e cila i rikonfirmon aktet historike te viteve ‘90), në thelbin e saj e ka nacionalizmin pacifist (jo agresiv e okupues siç ishte nacionalizmi serb) dhe demokracinë liberale si dy karakteristikat e të gjitha lëvizjeve moderne në botën përendimore. Periudha kur Rugova aplikonte pacifizmin politik si mekanizëm të veprimtarisë politike, nuk duhet kuptuar si pafësi apo mosguxim të përdorimit të mjeteve të tjera (siç pretendohet lufta e armatosur), por si një qasje strategjike e cila e kishte parasysh rëndësinë substanciale të ruajtjes së qenies nacionale shqiptare të popullit të Kosovës. Po ashtu duhet theksuar që në koncepcionin politik e ideologjik të Rugovës, Kosova e pavarur paraqiste realizim të nacionalizmit shqiptar, duke e konstituuar atë si shtet të dytë të shqitarëve. Prandaj, Republika e Kosovës e shpallur mbi parimet e Ahtisaarit dhe jo mbi parimet e nacionalizmit shqiptar të viteve ’90 për të krijuar shtetin e dytë nacional demokratik, paraqet thelmelimin e një Republike të Dytë të Kosovës e cila nuk i plotëson aspiratat nacionale e demokratike të shqiptarëve. Mbi këtë bazë veprimtaria politike e Rugovës e paraqitur si filozofi politike (Rugovizmi) është e mbështetur në parimet e nacionalimit demokratik modern dhe lëvizjeve djathtiste europiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›