E përkëdhelura e fatit
Juliane Koepcke nuk është nga ata njerëz që të tërheqin menjëherë vëmendjen teksa i sheh. E veshur thjesht, me një fustan dhe një palë syze në sy, Koepcke qëndron e ulur në tavolinën e saj të punës në kopshtin zoologjik në Mynih, ku punon si bibliotekare. Ajo që të tërheq vëmendjen më shumë se gjithçka është historia e saj. Plot 28 vjet më parë, Juliane Koepcke do të hynte në histori dhe do të bëhej e famshme në botë si e mbijetuara e vetme e një aksidenti të tmerrshëm ajror. Ajo ra nga një lartësi më e madhe se tre kilometra, kur aeroplani me të cilin ishte duke udhëtuar pësoi papritur një defekt në ajër. Aktualisht është një grua me moshë mesatare, por historia e saj tragjike me fund të lumtur është ndër më të pabesueshmet. Ishte prag Krishtlindjesh në vitin 1971, kur Koepcke, në atë kohë 17 vjeçe, bashkë me mamanë e saj kishin marrë avionin e linjës për të fluturuar nga Lima, Peru në Pucallpa, në pyllin tropikal të amazonës. Prindërit e saj, të dy zoologë të famshëm, ishin në një qendër kërkimore në xhungël për të studiuar jetën e kafshëve të egra. Linja ajrore me të cilën do të udhëtonin, "Lansa", kishte humbur më parë dy avionë në rrëzimet e mëparshme. "Ne e dinim se kjo linjë ajrore me të cilën do të udhëtonim kishte një reputacion të keq, por dëshpërimisht donim të bashkoheshim me babanë për Krishtlindje, ndaj menduam se gjithçka do të shkonte mirë", tregon Koepcke. Udhëtimi mendohej se do të zgjaste më pak se një orë dhe për 25 minutat e para gjithçka dukej se ishte për bukuri, kujton ajo. "Kur fluturuam mbi retë e dendura, avioni nisi të lëkundej. Ime më ishte vërtet nervoze. Pastaj në krahun tonë të djathë pamë që diçka po merrte flakë, ndërsa avioni nisi të humbte lartësi. Mamaja po bërtiste: ‘O Zot ç‘po ndodh‘". Hetimet e mëvonshme mbi shkaqet e ndodhjes së aksidentit treguan se një nga motorët e avionit "Lockheed Electra", ishte goditur nga një vetëtimë, gjë që kishte shkatërruar komplet krahun e tij të djathtë. "Po binim me kokë poshtë. Dhuratat që kishim bërë për Krishtlindje po fluturonin gjithandej nëpër kabinë, ndërsa unë dëgjoja vetëm njerëz që bërtisnin të tmerruar". Pasi avioni u bë copa-copa në ajër, Koepcke mbeti e vetme në ajër: "Shumë shpejt mbizotëroi një qetësi e jashtëzakonshme. Avioni ishte prishur komplet. Duhet të kem qenë e pandërgjegjshme në momentin që isha në ajër. Po fluturoja nëpër ajër dhe poshtë mund të shihja vetëm pyll". Më vonë Koepcke humbi ndjenjat përsëri. Ajo ra për më shumë se tre kilometra në "tendën" e xhunglës, por mrekullisht mbijetoi vetëm me disa dëmtime të vogla. 91 peronat e tjerë që gjendeshin bashkë me të në bordin e "Flight 508" vdiqën të gjithë. Koepcke tregon se ajo nuk është një njeri që nuk beson në Zot, ndaj gjithë këto vite është përpjekur të gjejë shpjegime logjike për mënyrën se si mbijetoi. "Ndoshta lidhej me faktin se kisha mbetur e mbërthyer pas një numri të madh sediljesh. Ata rrotulloheshin si një helikë helikopteri, gjë që mund ta ketë ngadalësuar shpejtësinë e rënies. Po ashtu, vendi në të cilin rashë ishte një pyll i dendur, gjë që mund ta ketë zvogëluar impaktin e rënies", tregon ajo. Por, pavarësisht shpjegimeve që ajo jep, Koepcke shpëtoi vetëm me disa dëmtime të vogla në trup: njëra shpatull e thyer, syri i djathtë i ënjtur dhe dëmtuar, tronditje e madhe dhe disa plagë në duar e këmbë. "Nuk u zgjova deri në orën nëntë të mëngjesit tjetër. Këtë e di mirë, sepse ora që mbaja në dorë punonte ende. Kështu që kam qenë e pandërgjegjshme gjithë pasditen dhe natën. Kur u përmenda isha e vetme... unë dhe një numër i madh sediljesh". Përvoja e saj ishte e tmerrshme. Avionët e shpëtimit dhe ekuipazhi i tyre nuk mundën ta lokalizonin dot zonën e rënies së avionit ndaj Koepcke, e vetmja e mbijetuar, mbeti e fillikat në xhungël. Por, meqë kishte kaluar shumë vjet në qendrat e kërkimit me prindërit e saj, i ati i kishte mësuar se si duhej të mbijetonte në situata të tilla, nëse ndonjëherë do t‘i binte rasti të gjendej e vetme në ndonjë pyll tropikal. "Ai më pati thënë se nëse gjen ndonjë rrëke ndiq rrjedhën e saj, sepse ai mund të të çojë në ndonjë përrua, ndërsa përroi në ndonjë lumë, ku është më e lehtë për të kërkuar ndihmë". Një ditë pas rënies, ajo gjeti një rrëke dhe filloi të ndiqte rrjedhën e saj drejt ndonjë përroi, por ishte me të vërtetë e vështirë. Ushqimi i vetëm që kishte ishin disa ëmbëlsira që ajo kishte gjetur në vendin e rënies së avionit, ndërsa plagët i ishin mbushur me parazitë. "Kisha një të çarë në krah dhe pas disa ditësh e ndjeva se kishte diçka në të. I hodha një sy dhe pashë se si një insekt kishte shtruar vezët e saj në krahun tim. Ishte mbushur plot me krimba. U tremba se mund ta humbisja përgjithmonë krahun. Më vonë, pasi shpëtova dhe e mjekova plagën, u gjendën më shumë se 50 krimba brenda tij. Ende habitem se si kaq shumë krimba ishin futur në atë vrimë të vogël, që nuk ishte më e madhe se një monedhë 1 euroshe". Ndërsa ecte përgjatë lumit, Koepcke zbuloi më shumë mbeturina nga avioni dhe pa disa nga viktimat e aksidentit. "Gjeta një tjetër rresht me sedilje, me tri gra të vdekura, ende të ulura aty. Kishin rënë me kokë dhe impakti me tokën duhej të kishte qenë aq i madh, saqë ishin bërë copë e cikë. U tmerrova. Nuk doja t‘i prekja, por doja të sigurohesha se njëra prej tyre nuk ishte nëna ime. Me një shkop hoqa këpucët e njërit prej tre trupave. Gishtat e mëdhenj të këmbëve ishin të lyera me manikyr, kështu që u sigurova që nuk ishte nëna ime, sepse ajo nuk përdorte kurrë manikyr". Juliane vazhdonte jetesën në pyll dhe përpiqej të ecte mes lumenjve të xhunglës të mbushur plot me krokodilë, insekte dhe kafshë të frikshme. "Ndonjëherë i shihja krokodilët në buzë të lumit që vinin drejt meje, por nuk kisha frikë. E dija se ata nuk i sulmonin njerëzit nëse nuk i ngacmoje". Pas dhjetë ditësh pa ushqim dhe e lodhur për vdekje, Koepcke dalloi një anije të vogël dhe një kasolle mbi lumë. Qëndroi atje me shpresën që të shërohej shpejt. Ditën tjetër, një grup druvarësh peruanë e gjetën dhe e dërguan te fshati më i afërt. Ajo u bë e njohur si vajza e mrekullive, u shfaq në të gjitha mediat vendase dhe mori me qindra letra nga njerëz që nuk i kishte takuar kurrë më parë. "Ishte kaq e çuditshme", tregon ajo duke buzëqeshur. "Disa nga letrat kishin adresën Juliane-Peru, por arrita t‘i merrja të gjitha. Ngjarja e vitit 1971 e mundon ende gruan që tregon se kujtimet e saj bëhen akoma më të gjalla kur dëgjon për tragjedi të tjera ajrore, siç ishte ai i "Air France" që ra në Brazil, apo avioni që ra në rrethinat e Iranit. "Tmerrohem kur dëgjoj për ngjarje të tilla. Shpresoj vetëm që gjithçka të ketë përfunduar shpejt për ata që ndodheshin në bord".