E Shtunë, 31 Tetor 2026

LRI: Prioritetet tona për integrimin e të rinjve

Në vijim të zbardhjes së pikave të programit që Lëvizja Socialiste për Integrim do t‘i paraqesë Partisë Demokratike në negociatat për krijimin e qeverisë së re, sekretari i përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, zbardhi pikat që lidhen me çështjen e të rinjve shqiptarë. Pesha bëri të ditur se gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, LSI do të ecë krah për krah me të rinjtë shqiptarë, duke iniciuar dhe garantuar zbatimin e një sërë nismave ligjore, të cilat synojnë integrimin e mëtejshëm të të rinjve të vendit në proceset e vendimmarrjes, nxitjes dhe zhvillimit të talenteve të reja në fushën e arsimit, kulturës, sportit etj., përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të mësimdhënies në të gjitha nivelet e shkollimit në vend, përfshirjen e sa më shumë të rinjve në aktivitete publike, garantimin e të drejtave të çdo të riu shqiptar në raport me shtetin etj. "Karta dhe statusi i studentit, projektligji për vullnetarizmin, përmirësimi i mëtejshëm i procesit të maturës shtetërore, projektet për sportin dhe kulturën, nxitja dhe mbështetja e projekteve dhe organizatave rinore brenda ambienteve shkollore dhe jashtë tyre do të jenë disa nga nismat konkrete që LSI do të propozojë dhe ndërmarrë gjatë këtij katërvjeçari, ku ne jemi të sigurt se do të arrijmë t‘i garantojmë çdo të riu dhe të reje në Shqipëri lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Europian për të vënë më në fund shenjën e barazimit midis rinisë shqiptare dhe asaj europiane", u shpreh ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›