E përndiqnin kudo prindërit, merr urdhër mbrojtje nga gjykata
E keni parasysh sa prindër ka që janë në çdo moment pas fëmijëve të tyre, nuk i lënë rehat, kujdesen shumë për ta dhe duan me çdo kusht suksesin e tyre?
Këtyre lloj prindërve u ka ardhur hakut amerikania 21 vjeçare, Aubrey Ireland, që ka arritur të marrë një urdhër mbrojtje nga gjykata ndaj prindërve të saj, duke akuzuar se ata e ndjekin në çdo hap.
Studentja e muzikës arriti të fitojë një urdhër mbrojtje pasi prindërit e saj kishin vendosur një software në kompjuterin dhe celularin e saj, për ta monitoruar.
David dhe Julie Ireland janë urdhëruar që të mos kenë kontakt me vajzën e tyre 21- vjeçare, që është edhe fëmija i vetëm i tyre.
Prindërit janë urdhëruar që të qëndrojnë gjithmonë 150 metra larg saj.
Vajza, një studente e suksesshme në konservatorin e muzikës thotë se prindërit, pavarësisht suksesit, udhëtonin shpesh me qindra kilometra për ta takuar atë në mënyrë surprizë dhe e akuzonin se ishte shthurur, se përdorte drogë apo se ishte me probleme mendore.
Kur vajza ndërpreu të gjithë kontaktet me ta, ata nuk paguanin më për shkollën dhe kërkuan 66 mijë dollarë që kishin shpenzuar për shkollimin e saj.
Prindërit e saj thanë në gjykatë se ata vetëm sa janë kujdesur që vajza e tyre të mos shkonte në rrugë të keqe. Ata shtuan se e kanë rritur atë me dashuri dhe përkujdesje.

