E Shtunë, 31 Tetor 2026

E reja me tumor denoncon mjekun për neglizhencë

Një mjek kirurg vihet nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm dhe do të përgjigjet para drejtësisë, pasi neglizhoi sëmundjen e një vajze 27-vjeçare, së cilës i përparoi tumori në gji dhe për pak i kushtoi jetën. D.B., mjek në një spital privat në Tiranë, e ka operuar pacienten N.K. në gjirin e djathtë pesë vite më parë, por më pas, nuk ka vlerësuar siç duhet rezultatet e ekos, çka ka sjellë dhe avancimin e sëmundjes së rëndë. 

Në dosjen e prokurorisë thuhet se një vit pas operacionit, 27-vjeçarja është paraqitur sërish tek kirurgu, duke i paraqitur rezultatin e ekos, por i pandehuri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kryerjen e biopsisë së dy formacioneve të konstatuara në eko. "I pandehuri B.D., pasi është njohur me ekon, duhej të kryente biopsinë e dy masave të dala nga ekoja", thuhet në dosje. 

Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, 27-vjeçarja është shtruar në një klinikë tjetër, ku ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale të radhës, dhe mandej është larguar drejt një klinike në Itali, ku i është nënshtruar kimioterapisë. Për fat të mirë, vajza ka mbijetuar, por mjeku që e neglizhoi kurimin e saj, do të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi nga hetimet ka rezultuar se ai e ka neglizhuar sëmundjen e 27-vjeçares. 

(Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare) 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›