E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida Shqipëri-Norvegji, rekord biletash, jo rekord të ardhurash

Duke parë stadiumin e mbushur plot e për plot në ndeshjen Shqipëri-Norvegji, të gjithë mendojnë se Federata Shqiptare e Futbollit ka arkëtuar një rekord të ardhu-rash. Por në fakt nuk është kjo ndeshja për rekord të ardhurash, të paktën sipas llogarive paraprake, pasi shifra zyrtare akoma nuk ka dalë. Shefi i marketingut në FSHF, Gazmend Malo, tregon për "Gazetën Shqiptare" strategjinë që është ndjekur për tifozët, duke mos pasur si qëllim vetëm arkëtimin e sa më shumë të ardhurave. "Edhe pse nuk është bërë përllogaritja përfundimtare, pasi është ende në proces, nuk është pritshmëria për të thyer rekord të ardhurash. As ne nuk e kemi pasur si qëllim më vete këtë. Synimi ishte të kënaqnim sa më shumë njerëz të ishte e mundur. Natyrisht, ndonjëri edhe nuk ka mbetur i kënaqur. I kërkojmë të falur, por me atë mori kërkesash, ishte e pamundur të kënaqeshin të gjithë", - ka deklaruar Malo.
STRATEGJIA
Edhe pse ishte shansi për të arkëtuar më shumë të ardhura nga ndeshja Shqipëri-Norvegji, pasi kërkesat për bileta kanë qenë mbi 100 mijë online, pa marrë parasysh interesimin në sportele, FSHF nuk ka pasur si strategji të thyejë ndonjë rekord mbi fitimet e kësaj ndeshjeje, thjesht për të gjetur një mesatare që të kënaqeshin të gjithë edhe me çmimet. "Kemi diskutuar gjatë për çmimet. Dikush mund të thotë se ishin të shtrenjta biletat. Më thoni një stadium në Europë që të shohësh kombëtaren tënde, paguan 3.5 euro, nuk ka rëndësi vendi. Tribuna natyrisht që do të jetë më shtrenjtë. Po ju them se ka pasur ndeshje të tjera me bileta më të shtrenjta, ku anësoret kanë qenë 10 mijë lekë. Ndërsa ne kësaj radhe i ulëm në 5 mijë. Të ishte qëllimi që të fitonim shumë, ne i vinim çmimet pak më të kripura dhe prapë biletat do të shiteshin, sepse kërkesat kanë qenë për rekord. Mund t'ju them me pak fjalë që biletat që janë shitur kanë qenë rekord, pra të gjitha janë shitur, ndërsa të ardhurat nuk kanë qenë për rekord", - ka vijuar Gazmend Malo.
REKORDI
Sipas shefit të zyrës së marketingut, ndeshja me më shumë të ardhura ka qenë ajo me Francën dy vjet më parë. FSHF ka përfituar rreth 300 milionë lekë të vjetra, ndërsa ndeshja e fundit nuk pritet të inkasojë kaq shumë, edhe pse numri i tifozëve ishte rekord më vete. "Edhe pse nuk ka përfunduar i gjithë procesi, nuk besoj se FSHF do të arkëtojë 300 milionë lekë të vjetra nga ndeshja Shqipëri-Norvegji, sepse përllogaritja e biletave nuk shkon aq. Do jetë diku aty afër, por jo 300 milionë. Rëndësi për ne ka që në përgjithësi u menaxhua mirë situata. Duhet të dimë diçka, ne jemi federatë e vogël. Ditën e ndeshjes mos harroni që luante edhe ekipi ynë Shpresa me Hungarinë. Pra, dy skuadra atje në Durrës dhe dy skuadra në kryeqytet kërkojnë staf për t'i menaxhuar, pa harruar ceremoninë për dy ish-futbollistët e Kombëtares, Lalën dhe Skelën. Por t'i shtosh pritjen e zyrtarëve të FIFA-s dhe të Norvegjisë, menaxhimin e personaliteteve të shtetit tonë, etj., të gjithë në FSHF kanë pasur nga 2, 3 ose më shumë detyra. Kështu që mendoj që bëmë më të mirën e mundshme", - përfundon shefi i zyrës së marketingut në FSHF, Gazmend Malo.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›