E rëndë në Greqi/ Makina përplaset me kamionin, humbin jetën nënë e bir nga Shqipëria

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e së premtes në rajonin e Serres, në Greqinë veriore, ku kanë humbur jetën një nënë 43-vjeçare dhe djali i saj 24-vjeçar, të dy me shtetësi shqiptare.
Ngjarja ndodhi në rrugën provinciale Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit, në Bashkinë e Amfipolit. Sipas autoriteteve greke, automjeti me të cilin udhëtonin viktimat u përplas ballë për ballë me një kamion, ndërsa shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.
Sipas informacioneve paraprake, 24-vjeçari ishte në timon, ndërsa nëna e tij ndodhej në sediljen e pasagjerit. Për shkak të përplasjes së fortë, të dy humbën jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, drejtuesi 56-vjeçar i kamionit mbeti i plagosur. Ai u nxor nga automjeti nga ekipet e shpëtimit dhe u transportua me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e aksidentit ndërhynë menjëherë forcat e Policisë Greke, dy mjete të zjarrfikëses dhe ekipet e emergjencës mjekësore (EKAB), të cilat punuan për nxjerrjen e viktimave dhe normalizimin e situatës.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi në këtë segment rrugor u ndërpre përkohësisht, duke shkaktuar vonesa në trafik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.