E rëndë në Michigan, 44-vjeçari shqiptar qëllohet për vdekje jashtë restorantit ku punonte

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Michigan të SHBA-së, ku një shtetas shqiptar, 44-vjeçari Françesk Shkambi, është vrarë me armë zjarri jashtë restorantit ku ishte menaxher i përgjithshëm.
Incidenti u regjistrua rreth orës 21:38 pranë Prime 7 Bar & Restaurant, në Commerce Township.
Sipas autoriteteve, Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e jashtme të lokalit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe transportimit të menjëhershëm në spital, ai ndërroi jetë pak më vonë.
Zyra e sherifit bëri të ditur se në lidhje me ngjarjen është arrestuar një i dyshuar, një 65-vjeçar nga Farmington Hills, i cili është vetëdorëzuar në polici. Sipas sherifit Michael Bouchard, viktima dhe autori e kanë njohur njëri-tjetrin prej kohësh dhe midis tyre kishte lindur një mosmarrëveshje që përshkallëzoi në konflikt fatal. Shkambi dyshohet se është qëlluar dy herë.
Burime të FOX 2 kanë treguar se menaxheri shqiptar kishte marrë një telefonatë pak momente para se të dilte jashtë restorantit, ku edhe u qëllua.
Stafi dhe pronari i restorantit shprehën tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e Shkambit.
“Ai kishte zemrën më të madhe në botë. Erdhi kur restoranti ishte drejt mbylljes dhe na bashkoi si një familje,” tha punonjësja Alex Crawford.
“Për mua ishte si vëlla i madh,” shtoi ajo.
Frank Gjura, pronari i Prime 7, u shpreh: “Ai ishte si vëllai im. Do të na mungojë jashtë mase.”
Hetuesit kanë sekuestruar edhe armën e dyshuar të krimit – një pistoletë 9 mm, e cila rezulton e raportuar si e vjedhur.
Motivi i saktë i vrasjes nuk është bërë ende publik. Më shumë detaje priten të zbardhen në seancën gjyqësore të radhës.
/vizionplus.tv