E Diel, 1 Nëntor 2026

“E rrahën në mes të rrugës”, Muslim Murrizi shpërthen për shefin e Komisariatit të Krujës: “Ku jemi katandisur?”

Ish-deputeti demokrat Muslim Murrizi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një video që, sipas tij, tregon momentin kur një drejtues policie dhunohet në mes të rrugës në Durrës.

Murrizi pretendon se personi i dhunuar është Elton Shahini, të cilin e identifikon si shef të Komisariatit të Krujës dhe ish-shef të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Në reagimin e tij, ish-deputeti ngre pikëpyetje mbi rrethanat e incidentit dhe pretendon se ndaj Shahinit nuk është lejuar të bëjë denoncim.

Murrizi shkruan:

“Kjo video tregon se ku është katandisur Shteti.

Ky me motor që e rrahin në mes të rrugës në Durrës para një muaji si gomarin në duhan është shefi i Komisariatit Krujë Elton Shahini dhe ish-shef i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.

Ky që e rreh, si duket duhet të ketë të ‘drejtë’, se ndoshta i ka zënë rrugën ose mund ta ketë ‘vartës’, nëse ky që e rreh është pjesë e ‘strukturave’ që e kanë emëruar.

Ndoshta është edhe oficer i SHISH-it të Trëndafilës, Vlora Hyseni, dhe ka marrë ‘urdhër’ që t’ia fikë ‘radarin’ shefit të Komisariatit të Krujës.

Ehhhh, ku jemi katandisur.

Kur rrihet në mes të rrugës një shef komisariati, vaj medet çfarë sigurie do të ofrojë kjo polici për qytetarët.

Dhe jo vetëm e ka rrahur, por nuk e ka lënë të bëjë as denoncim, si duket.

Bela e madhe kur je i emëruar e i promovuar nga klane të pista apo bota e krimit: edhe të rrahin, edhe nuk të lënë të ‘qash’.

Me siguri SHISH-i i Durrësit duhet të ketë ‘bërë’ raport për këtë ngjarje ‘argëtuese’ për qytetarët që ishin të pranishëm aty në këtë moment ‘pikant’.”

Pretendimet e ngritura në postim nuk përbëjnë në vetvete konfirmim zyrtar të rrethanave të incidentit apo të identitetit të personave të përfshirë. Për verifikimin e tyre nevojiten të dhëna nga Policia, institucionet përkatëse dhe çdo procedim zyrtar që mund të jetë kryer lidhur me ngjarjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›