E vrau Komiteti i maleve, titull nderi Bardhok Bibës

Gjatë ceremonisë në nder të Bardhok Bibës
Nderohet me titull nderi nga Bashkia e Rrëshenit deputeti i Pasluftës, Bardhok Biba. I ekzekutuar nga Komiteti i maleve në vitin 1949, Biba ishte shpallur Hero i Popullit dhe dy ditë më parë u nderua pas vdekjes nga pasardhësit e tij. Kryetari i Bashkisë Rrëshen, Ndue Gega, i dorëzoi dje Maria Bibës titullin Qytetar Nderi për Bardhok Bibën, babanë e saj të vrarë më 7 gusht 1949. Ai është konsideruar nga kryebashkiaku dhe shumica e këshilltarëve të Bashkisë së Rrëshenit si themeluesi i qytetit të Rrëshenit. Ceremonia për dorëzimin e titullit është zhvilluar në varrezat e dëshmorëve, në prani të shumë veteranëve të LANÇ-it, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të subjekteve politike e qytetarëve të Rrëshenit. Bashkëkohësit tregojnë se me insistimin e liderit politik të kohës, njëkohësisht dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Heroi i Popullit Bardhok Biba, u hap për diskutim vendosja e qytetit ose në fshatin Ndërfushaz, ose në vendin e quajtur Fusha e Lumthit. Pas diskutimeve me argumente dhe kundërargumente u vendos që qyteti të fillonte të ndërtohej pikërisht në Fushën e Lumthit, aty ku është edhe sot. Është evident fakti se Bardhok Biba ishte iniciatori që Mirdita të përfitonte të drejtën të kishte qytetin e vet, dhe kjo u arrit me dekretin e Kuvendit Popullor që mban datën 15 prill 1949, por ishte i pari që hodhi kazmën e parë në themelin e Rrëshenit, tha për të pranishmit Ndue Gega. Parë në këtë këndvështrim, Bashkia Rrëshen dhe kryetari i saj, Ndue Gega, përgatitën projekt-propozimin për dhënien e titullit Qytetar Nderi i Bashkisë Rrëshen, për themeluesin e këtij qyteti, Bardhok Bibën. Pas vitit 44, Biba kishte arritur që, përmes një kuvendi unikal të pajtimit të gjaqeve, të krijonte mundësinë e faljes së mbi 500 gjaqeve. Pasi ka lexuar motivacionin pranë varrit të Heroit të Popullit, kryebashkiaku Gega i ka dorëzuar Marie Bibës titullin Qytetar Nderi për babain e saj. Ajo ka falënderuar përzemërsisht kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak për nderimin që i bëhet figurës së atit. Mësohet se mbledhja për dhënien e titullit të nderit është zhvilluar tri ditë më parë. Nga 17 këshilltarë që ka Bashkia e Rrëshenit, vetëm dy prej tyre nuk kanë qenë dakord me propozimin e bërë nga kryebashkiaku, intelektualë të qytetit, Organizata e Veteranëve të LANÇ-it, shoqata e dëshmorëve të rrethit, si dhe intelektualë të qyteti. Për afro 41 vjet Bardhok Biba do të mbetej simbol i Mirditës, derisa pas vitit 1990, busti i tij, i Pal Mëlyshit, Ndrecë Ndue Gjokës, si dhe katër heroinave u shkatërruan do të shkatërroheshin plotësisht.
Pas eliminimit të Bardhok Bibës
Mehmet Shehu urdhëroi vrasjen e 100 personave
Vrasja e Bardhok Bibës dhe 2 personave të tjerë, njëri prej tyre Komisari i Dritës, Ndrecë Ndue Gjoka, ndodhi më 7 gusht të vitit 1949. Pasi kishin kaluar malet e Kaçinarit, ata po zbrisnin drejt bregut të Fanit të Madh për tiu ngjitur të përpjetës së Shpalit, ku gjendej edhe qendra e lokalitetit. Sapo iu afruan një maje kodre e ecin në një rrugë në formë ulluku për të arritur në Qafë-Valmiri, ata u qëlluan nga 3 anëtarë të Komitetit të Maleve që u kishin zënë pritë. Atentatorët, pasi kanë këqyrur nga afër dhe janë bindur saktësisht se i pari i Mirditës kishte dhënë shpirt, kanë lënë një pusullë në gëmushat ku kishin zënë pritën me mbishkrimin Në emër të Komitetit të Maleve!. Më vonë, përfaqësues të këtij komiteti e kanë mohuar vrasjen e Bardhok Bibës. Ndër drejtuesit më të lartë të shtetit të kohës, sipas dokumenteve historike dhe dëshmitarëve, në shtëpinë e të vrarit Bardhok Biba ishte Mehmet Shehu. Në ngushëllim, Shehu i thotë babait të Bardhokut: Do ia dërgoj 100 kriminelë te koka tët biri!. Mark Biba iu përgjigj: Mos merr më qafë të pafajshëm. Më 9 gusht 1949, vetëm dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, Brigada e Mbrojtjes së Popullit, e dislokuar në Qafë-Shtamë, nën komandën e Medi Bilbili dhe kolonel Zija Kambo, hyri natën në Mirditë dhe arrestoi rreth 300 veta. Rreth 300 familje grumbullohen dhe vendoset internimi i tyre në Tepelenë, ndërsa 26 persona u arrestuan dhe u vendosën në burgun e improvizuar të Rrëshenit për tiu nënshtruar gjyqit ushtarak. Trupi gjykues, i ngritur me shumë shpejtësi, vendosi që 14 prej tyre të ekzekutohen, ndërkohë që prokurori Misto Bllaca kishte kërkuar që ky numër të ishte 20 persona. Vendi i ekzekutimit u caktua në Qafë-Valmiri, atje ku ishte vrarë edhe sekretari politik i Mirditës.
RRESHEN/ HASAN PASHA