E Diel, 1 Nëntor 2026

EBA – Sulm me dron ndaj centralit bërthamor “Barakah”, rriten tensionet në rajon

ABU DABI, 17 maj /ATSH/ – Një sulm me dron goditi sot centralin bërthamor “Barakah” në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar zjarr në perimetrin e objektit dhe duke rritur frikën për rikthimin e luftës në rajon, sipas AP.

Autoritetet thanë se nuk pati viktima apo rrjedhje radioaktive, ndërsa armëpushimi mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij mbetet i brishtë.

Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk akuzuan drejtpërdrejt ndonjë palë.

Megjithatë, Abu Dabi ka deklaruar se Irani ka ndërmarrë ditët e fundit sulme me dronë dhe raketa, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar për shkak të ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë bllokadën ndaj porteve iraniane, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një paqeje më të qëndrueshme kanë dështuar vazhdimisht.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se luftimet mund të rifillojnë, ndërsa televizioni shtetëror iranian ka transmetuar vazhdimisht pamje me prezantues të armatosur për të përgatitur opinionin publik për një konflikt të mundshëm.

Centrali “Barakah”, i ndërtuar me ndihmën e Koresë së Jugut dhe që hyri në funksion në vitin 2020, është i vetmi central bërthamor në botën arabe dhe furnizon rreth një të katërtën e nevojave energjetike të Emirateve.

Autoriteti bërthamor i Emirateve deklaroi se zjarri nuk ndikoi në sigurinë e centralit dhe se njësitë vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) tha se sulmi shkaktoi zjarr në një gjenerator elektrik dhe se një nga reaktorët po furnizohej përkohësisht nga gjeneratorë rezervë me naftë.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, shprehu “shqetësim të madh”, duke theksuar se çdo aktivitet ushtarak që rrezikon sigurinë bërthamore është i papranueshëm. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›