E Diel, 1 Nëntor 2026

TAJVAN – SHBA dhe shitjet e armëve janë kyçe për sigurinë në Indo-Paqësor

TAJPEI, 17 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka theksuar rëndësinë e shitjeve të armëve nga Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e stabilitetit në rajonin Indo-Paqësor, pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping.

Komentet e Lai erdhën mes raportimeve se Trump po shqyrton përdorimin e shitjeve të armëve ndaj Tajvanit si pjesë të negociatave me Kinën. Një paketë armësh me vlerë 14 miliardë dollarë, e miratuar tashmë nga Kongresi amerikan, mbetet ende në shqyrtim nga Shtëpia e Bardhë.

Trump deklaroi gjatë kthimit nga Kina të premten se do të marrë një vendim “së shpejti”, duke shtuar se duhet të konsultohet me “personin që drejton Tajvanin”.

Në një postim në rrjetet sociale, Lai tha se Kina vazhdon të zgjerojë kapacitetet ushtarake dhe nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës, ndërsa Tajvani mbetet i përkushtuar për ruajtjen e status quo-së. Ai e cilësoi Pekinin si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë në rajon.

Sipas presidentit tajvanez, bashkëpunimi më i ngushtë në siguri mes Tajvanit dhe SHBA-së, si edhe vazhdimi i furnizimeve ushtarake amerikane, janë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Lai theksoi se e ardhmja e Tajvanit duhet të vendoset nga vetë populli i ishullit dhe paralajmëroi se paqja nuk duhet të komprometohet. Ai shtoi se Tajvani është një hallkë kyçe për sigurinë në Indo-Paqësor, zhvillimin global të inteligjencës artificiale dhe industrinë e gjysmëpërçuesve.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, megjithëse ishulli qeveriset në mënyrë të pavarur që nga viti 1949. /Ad.Ab.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›