E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

EGJIPT – Rihapet pas nëntë muajsh pika e kalimit kufitar me Gazën

AL ARISH (Egjipt), 1 shkurt /ATSH-DPA/ – Kalimi kufitar i Egjiptit me Rripin e Gazës, ai i Rafahut, u rihap sot për herë të parë në gati nëntë muajsh.

”Disa pacientë palestinezë të sëmurë dhe të plagosur u evakuan përmes vendkalimit për të marrë trajtim mjekësor jashtë Gazës së shkatërruar nga lufta”, thanë burimet e sigurisë egjiptiane dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Pamjet në kanalin televiziv ”al-Qahera News”, të lidhur me shtetin e Egjiptit, treguan pacientët e parë nga Gaza që filluan të mbërrinin në anën egjiptiane të vendkalimit.

Ata arritën në pikën e kontrollit brenda ambulancave që i përkisnin Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe më pas u transferuan në ambulancat egjiptiane në pritje në anën tjetër të kufirit.

”Gjithsej 50 persona të sëmurë dhe të plagosur, së bashku me 53 shoqërues, pritet të evakuohen të shtunën nga Gaza në Egjipt”, sipas transmetuesit.

Në maj të vitit të kaluar, Izraeli mori nën kontroll anën e Gazës të kalimit Rafah, në një operacion që ndaloi dërgesat e ndihmave në brezin bregdetar me popullsi të dendur përmes objektit jetësor.

Bashkimi Evropian tha të premten se blloku kishte nisur misionin e tij mbështetës për të ndihmuar në rihapjen e pikëkalimit në Rafah.

”Rojat kufitare të BE-së janë vendosur në vendkalim me kërkesë të palestinezëve dhe izraelitëve”, shkroi kryediplomatja e bllokut Kaja Kallas në platformën e mediave sociale X.

Rihapja e objektit është pjesë e një marrëveshjeje trefazore të armëpushimit midis lëvizjes islamike palestineze Hamas dhe Izraelit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›