E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ “Boshatisi” vila, hotele dhe biznese, kapet 21-vjeçari i shumëkërkuar për 11 vjedhje në Durrës dhe Tiranë

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Seriali”, duke vënë në pranga një 21-vjeçar të dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit korrik në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.

Shtetasi Orgito Hajrullaj, 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje dhe i shpallur në kërkim për disa ngjarje të tjera, është arrestuar pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë gjatë përpjekjes për t’u larguar. Ai u neutralizua në kohë dhe u vu në pranga.

Nga hetimet rezulton se Orgito Hajrullaj është autor i 11 vjedhjeve, të kryera në vila, hotele, biznese, tabakino dhe parkingje, ku ka marrë shuma parash, sende me vlerë, biçikleta, monopatina, motomjete dhe mjete të tjera të lëvizshme.

Gjatë kontrollit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

  • Mjetet e përdorura për vjedhje (thikë, kaçavidë, etj.)
  • 2 motomjete
  • 1 aparat celular
  • Sende të tjera me vlerë

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale:

  • “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
  • “Vjedhja” (në më shumë se një rast)
  • “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”
  • “Shkatërrimi i pronës”
  • “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”

Policia e Durrësit apelon qytetarët të denoncojnë çdo rast kriminaliteti në numrin 112 apo përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe anonim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›