Zbardhet aktiviteti kriminal në Korçë, kultivonin dhe trafikonin kanabis drejt Greqisë! Dy në pranga, dy në kërkim

Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Grupi”, që shënjoi goditjen e një strukture kriminale të përfshirë në kultivimin, përpunimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Pas hetimeve të thelluara me metoda speciale, u zbuluan dhe u dokumentuan aktivitetet e një grupi kriminal që vepronte në fshatin Polovisht të Maliqit, ku kultivohej kanabisi. Lënda narkotike më pas magazinohej në fshatin Voskop, ku kryhej tharja dhe përpunimi, me qëllim transportimin drejt shtetit grek.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan dy shtetas:
- L. Xh., 45 vjeç, banues në Maliq
- G. M., 48 vjeç, banues në Korçë
Të dy të dyshuar si financues të kultivimit të lëndës narkotike.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim:
- R. B., 42 vjeç
- A. G., 35 vjeç, të dy banues në Korçë, organizatorë të trafikimit të drogës në katër raste të mëparshme të goditura nga Policia.
Në banesën e R. B. u gjet një ambient i përshtatur për modifikimin e automjeteve, ndërsa nga kontrollet u sekuestruan pajisje policie, GPS, kamera të fshehta, pajisje regjistrimi, targa, USB, laptop, dron dhe kontrata automjetesh.
Të katër këta shtetas dyshohet se vepronin në bashkëpunim për të kultivuar dhe trafikuar kanabisin në drejtim të Greqisë.
Rastet e mëparshme të trafikimit të lidhura me këtë grup përfshijnë:
- Më 08.06.2025, kapja në flagrancë e V. B. me 6 kg heroinë në PKK Kapështicë
- Më 25.04.2024, arrestimi i K. Sh. dhe H. M. me 12.5 kg kanabis
- Më 23.09.2023, kapja e K. K. në Pogradec me 52.6 kg kanabis
- Më 27.11.2023, arrestimi i L. L. dhe S. P., si dhe sekuestrimi në Greqi i 26 kg kanabis
Operacioni “Grupi” vijon me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të rrjetit.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale:
- “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
- “Kultivimi i bimëve narkotike”
- “Trafikimi i narkotikëve”
/vizionplus.tv