E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ I kërkuar nga Spanja për trafik droge, arrestohet 60-vjeçari në Fier, pritet ekstradimi

Një 60-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është kapur në Fier në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”. Burri dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas Policisë së Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier e lokalizuan dhe kapën 60-vjeçarin Mevlan Troka banues në fshatin Bishan. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata e Madridit në Spanjë.

Autoritetet spanjolle e akuzojnë 60-vjeçarin për “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, si dhe për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, sipas legjislacionit penal spanjoll.

Pas kryerjes së veprimeve procedurale, Mevlan Troka u arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës. Ai do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve shqiptare gjatë vijimit të procedurave ligjore.

Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 60-vjeçarit drejt Spanjës, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga autoritetet spanjolle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›