EMRI/ Po u shiste armë shtetasve që kryejnë vrasje, arrestohet 28-vjeçari nga Shkodra, pjesë e grupit kriminal

Policia sekuestron dy pistoleta që dyshohet se do përdoreshin në krime kundër jetës dhe pronës
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Black Market”, duke goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit.
Në kuadër të hetimeve dhe kontrolleve intensive për kapjen e personave të armatosur që përbëjnë rrezik për sigurinë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Aleksandër Matoja, 28 vjeç, banues në Shkodër.
Matoja, i njohur me precedent penal për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe pjesëtar në një grup të strukturuar kriminal në Shkodër, u kap në zonën e Alliasit ndërsa udhëtonte me automjetin e tij.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri të tipit pistoletë, të cilat dyshohet se ishin destinuar për t’u shitur personave të përfshirë në krime kundër jetës dhe pronës.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Shtetit thekson se do të vijojë pa ndërprerje kontrollet dhe operacionet për goditjen e krimeve me armë, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.