ERE lejon çmime negative për energjinë, a do të reflektohet tek konsumatori fundor

Nga zero në minus 50 euro për megavat/orë. Ky është kufiri minimal i ri i lejuar për çmimin në tregun e ditës të Bursës Shqiptare të Energjisë.
Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë erdhi pas kërkesës së operatorit ALPEX, që argumentoi se zhvillimet në tregjet evropiane dhe rajonale kanë sjellë rritje të rasteve me çmime negative, ndërsa edhe në bursën shqiptare janë regjistruar oferta me vlera nën zero.
Sipas ERE-së, ndryshimi synon të rrisë fleksibilitetin e tregut dhe ta afrojë ALPEX me praktikat e tregjeve të integruara evropiane të energjisë.
Të dhënat tregojnë një zgjerim të shpejtë të aktivitetit në bursë. Gjatë vitit 2025, volumi i energjisë së tregtuar në ALPEX u rrit me rreth 39% krahasuar me një vit më parë. Vetëm në zonën shqiptare të ofertimit u tregtuan mbi 1 milion MWh, rreth 26% më shumë se në vitin 2024.
Por mekanizmi ekzistues kishte arritur kufirin e tij. Nga janari deri më 18 prill 2026, çmimi arriti 13 herë nivelin minimal prej 0 euro/MWh, ndërsa edhe pas ankandeve të dyta pjesëmarrësit nuk ndryshuan ofertat.
Në kushtet kur prodhimi i energjisë është më i lartë se kërkesa, çmimet negative shihen si zgjidhje e skajshme e uljes për të balancuar sistemin, pasi energjia elektrike duhet të prodhohet dhe konsumohet pothuajse në të njëjtin moment.
Krahasimisht me rregullimin e çmimit deri në vlerë negative sipas bursës së energjisë, vendimi ngre nga ana tjetër pyetjen për konsumatorin. Sipas Bankës Botërore, infrastruktura energjetike e Shqipërisë ka një efikasitet të lartë: përfitimet ekonomike dhe sociale që sjell janë mbi katër herë më të mëdha krahasuar me kostot e financimit dhe mirëmbajtjes së saj.
Në një sistem ku një pjesë e rëndësishme e prodhimit vendas vjen nga hidrocentralet strategjike të vendit, kthimi i këtij avantazhi ekonomik në çmimin që paguan konsumatori është prej kohësh një sfidë e dukshme.
Deri tani operatorët e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike kanë argumentuar se tarifat për konsumatorët bazohen në koston reale të prodhimit dhe furnizimit, ku përfshihen edhe transmetimi, shpërndarja dhe kostot e funksionimit të sistemit.
Megjithatë, nëse tregu i shumicës krijon periudha me çmime shumë të ulëta apo negative, sfida që ky efekt të jetë i matshëm dhe të reflektohet, në një formë të drejtë, edhe te familjet dhe bizneset, është mundësi teorike.
Në kushtet kur vendimi i ERE-së i jep tregut të energjisë një mekanizëm të ri për të menaxhuar tepricat e prodhimit, fakti se si shpërndahet ky përfitim deri te konsumatori fundor nuk është më një pyetje teorike.
/rtsh.al/