Qeveria zgjat Strategjinë e Biznesit deri në vitin 2030, duke e orientuar drejt tranzicionit të gjelbër, digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe shtesash thelbësore në Vendimin nr. 466, datë 30.7.2021, duke shtyrë zyrtarisht afatin e zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve nga viti 2027 deri në vitin 2030.
Ndryshimi i horizontit kohor shoqërohet me pasurimin e dokumentit me 13 veprimtari të reja prioritare, të cilat synojnë përshtatjen e industrisë shqiptare me kërkesat e tregut të vetëm të Bashkimit Evropian, modernizimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) dhe nxitjen e inovacionit teknologjik.
Inovacioni dhe inteligjenca artificiale në qendër të vëmendjes
Ndër ndërhyrjet më të rëndësishme në kuadrin e zhvillimit të sipërmarrjes përfshihet krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit (FSHI), i konceptuar si një instrument sovran bashkinvestimi me fokus mbështetjen e ndërmarrjeve me rritje të lartë (Scale-Up).
Po ashtu, strategjia e re përfshin plane konkrete për dixhitalizimin industrial, duke lehtësuar qasjen e biznesit vendas në teknologjitë e Inteligjencës Artificiale dhe rrjetin evropian të superkompjuterëve (EuroHPC).
“Krijohet Fondi Shqiptar i Inovacionit si instrument sovran bashkinvestimi për rritjen e konkurrueshmërisë, ndërsa përfshihen veprime prioritare për digjitalizimin industrial dhe aksesin në inteligjencë artificiale.”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Tranzicioni i gjelbër dhe lehtësimi i procedurave
Për t’u përshtatur me standardet mjedisore të BE-së, strategjia e rishikuar parashikon përgatitjen e industrisë vendase për mekanizmin e rregullimit të kufirit të karbonit (CBAM), eficiencën e energjisë dhe zhvillimin e parqeve ekoindustriale.
Për realizimin e masave të reja të përfshira në planin e veprimit 2021–2030, vendimi ngarkon një rrjet të gjerë institucionesh kyçe.
Përgjegjësia kryesore i kalon Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Agjencinë “Innovation4Albania”, Korporatën e Investimeve Shqiptare, AKSHI-n, si dhe ministritë e Financave, Mjedisit, Infrastrukturës dhe Evropës e Punëve të Jashtme.
/rtsh.al/