E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERT, Samaras takon sot partnerët e koalicionit

I ndodhur nën presion kryeministri grek Andonis Samaras do të takohet sot me partnerët e koalicionit qeverisës për të diskutuar mbi vendimin për mbylljen e trasmetuesit publik ERT.

Gjatë një takimi të mërkurën, Evangelos Venizelos dhe Fotis Kuvelis e ftuan kryeministrin që të thërrasë mbledhjen e liderëve politikë, me qëllim që të diskutohet çështja e ERT.

Nuk ekziston asnjë grek që të mos dëshirojë stabilitetin politik. Nuk ekziston asnjë grek që mos të dojë të ketë televizion publik, theksoi lideri i PASOK, që sipas tij duhet një reformim por të votuar nga parlamenti.

ERT ka nevojë për ndryshime rrënjësore, por mbyllja e televizionit publik ishte një veprim i papranueshëm, tha  lideri i DIMAR Fotis Kuvelis .

Samaras është kritikuar ashpër për urdhërin e papritur të mbylljes së transmetuesit publik ERT. Oferta për një konçesion  ndërkohë ka dalë në dritë pas presioneve të partnerëve në koalicionin qeverisës.

Mbyllja e papritur e ERT-së është pjesë e planit qeveritar për të reduktuar shpenzimet publike. Qeveria tha se ky veprim ishte një masë jetike për të ndihmuar në përmbushjen e detyrimeve të vendit kundrejt borxhit të lartë publik.

Ndërkohë, Sindikata Evropiane e Transmetimit, EBU, i ka bërë thirrje qeverisë greke që ta rihapë ERT-në. Një peticion i firmosur nga 51 drejtorë të përgjithshëm pritet ti dorëzohet qeverisë së Athinës.

EBU e cilësoi veprimin e qeverisë si anti-demokratik dhe joprofesional

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›