“EU4Municipalities II”, Gonzato: Mbi 70% e legjislacionit të BE zbatohet në nivel vendor. Integrimi evropian nis në çdo qytet

Është prezantuar zyrtarisht programi “EU4Municipalities II”, një nismë strategjike e Bashkimit Europian që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Programi do të fokusohet në investime konkrete për bashkitë, rritje të kapaciteteve administrative dhe modernizim të shërbimeve për qytetarët.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të programit, theksoi rëndësinë që kanë bashkitë në zbatimin e reformave dhe politikave europiane në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas tij, mbi 70% e legjislacionit dhe rregulloreve të Bashkimit Europian zbatohen në nivel lokal, çka e bën pushtetin vendor një hallkë kyçe në procesin e integrimit.
“Ishim në Durrës edhe javën e shkuar me kryeministrin ku u çel muzeu arkeologji i cili është një thesar në vetvete për projekte BE-ja për trashëgiminë kulturore dhe ai është një ndër programet që me pëlqen më shumë ndërkohë që do t’ju them se dhe BE-ja për bashkitë dhe i treti është projekti i BE-së për shkollat. Arsyeja pse me pëlqen projekti për bashkitë është sepse i vendos qytetarët dhe vet bashkitë në thelb dhe në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejtë BE-së. Ky program është shumë i prekshëm dhe sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse këtu shndërrohen politikat në përmirësimin për jetën e qytetarëve.
Në BE të gjithë autoritet vendore rajonale janë ato që i kthejnë ligjet, reformat, investimet në vepra. Më shumë se 70% e rregulloreve, legjislacionit të BE do të vihen në zbatim në terren, bashki sepse ato janë ura lidhëse mes qytetarëve dhe Evropës prandaj është kaq e rëndësishme. Roli i bashkive dhe partneriteti ynë është shumë të rëndësishme. Për këtë punë na duhet partneritet i vërtet përmes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore”, u shpreh Gonzato.
Gonzato nënvizoi se rrugëtimi evropian i Shqipërisë nuk zhvillohet vetëm në Bruksel apo Tiranë, por duhet të përqafohet në çdo bashki të vendit.
Ai tha se programi “EU4Municipalities II” do të mbështetet në tre prioritete kryesore: përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës për qytetarët, zhvillimin ekonomik vendor dhe forcimin e institucioneve lokale përmes rritjes së transparencës dhe besimit publik.
“Rrugëtimi evropian i Shqipërisë nuk zhvillohet vetëm në Bruksel apo në Tiranë ai duhet të përqafohet edhe në çdo bashki të Shqipërisë, prandaj programi BE-ja për Bashkitë synon që të sigurojë që qeverisja vendore të mos jetë thjeshtë vëzhguese e këtij procesi por të jetë partner aktiv në formimin e saj. Ky program do të ofrojë një bazë përmes 3 prioritete, e para do të ofrojë shërbime dhe infrastrukturë më të mirë për qytetarët. E dyta është zhvillmi ekonomik vendor i cili mbështet çdo cep të Shqipërisë dhe i treti është fakti që të ketë institucione më të forta dhe më transparente sepse qeverisja e mirë nis me besimin.”, tha ai.
/rtsh.al/