Nga heqja e patentës për të dehurit përsëritës, te rritja e gjobave dhe kufizimet për shoferët e rinj, drafti i PS me ndryshimet në Kodin Rrugor

Partia Socialiste ka propozuar një paketë të re ndryshimesh në Kodin Rrugor, që synon forcimin e sigurisë në rrugë dhe uljen e aksidenteve, përmes ashpërsimit të rregullave dhe penaliteteve për shkeljet.
Amendamentet janë depozituar në Kuvend në kuadër të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, dhe parashikojnë masa më të forta për drejtuesit pa patentë, shoferët e rinj, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për drejtuesit e kapur në gjendje të dehur.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Sipas amendamenteve të propozuara, përveç përgjegjësisë penale, personave që konstatohet se drejtojnë mjetin pa patentë do t’u shtyhet me një vit e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi pranë autoshkollave. Për të miturit, ndalimi do të jetë edhe më i ashpër, pasi e drejta për të marrë patentën do të shtyhet me dy vite nga momenti kur u lind kjo e drejtë sipas ligjit.
Paketa e re vendos gjithashtu kufizime të posaçme për drejtuesit e rinj që janë pajisur me patentë të kategorisë “B” brenda 24 muajve të fundit. Për këtë kategori shoferësh parashikohet tolerancë zero për alkoolin në gjak, kufizim i shpejtësisë deri në 90 km/orë në autostrada dhe ndalim i qarkullimit nga ora 00:00 deri në 06:00 pa praninë e një shoferi shoqërues me të paktën tre vite eksperiencë.
Mosrespektimi i këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse drejtuesi kryen dy shkelje brenda një viti dhe humbet të paktën 10 pikë, periudha e kufizimeve do të zgjatet edhe me një vit tjetër.
Projektligji parashikon gjithashtu ashpërsim ekstrem për drejtuesit e kapur në gjendje të dehur. Sipas amendamentit të propozuar, nëse një shofer kapet përsëri duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 gram/litër në gjak dhe rezulton se më parë është ndëshkuar për të njëjtën shkelje, atëherë do t’i hiqet patenta përgjithmonë.
Ndryshime të forta janë propozuar edhe për sjelljen agresive në rrugë. Në nenin që lidhet me shpejtësinë, PS propozon të konsiderohen shkelje të rënda edhe manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në qarkullim, sidomos në zonat urbane.
Po ashtu, rriten edhe gjobat për disa kategori shkeljesh rrugore. Një prej amendamenteve parashikon që masa administrative të rritet nga “10 mijë deri në 40 mijë lekë” në “20 mijë deri në 60 mijë lekë”.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të mjeteve. Amendamentet ndalojnë përdorimin e telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave elektrike dhe motomjeteve deri në 50 cc.
Amendamentet e PS për disa ndryshime në Kodin RrugorDownload/rtsh.al/