EULEX: Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar përparim të mirëfilltë

PRISHTINE, 11 nëntor/ATSH/ Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin, derisa për institucionet e drejtësisë sfidë mbetet edhe produktiviteti i seancave, ndërsa, paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar. Kështu thotë raporti i EULEX-it lidhur me monitorimin e sistemit të drejtësisë.
Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tha se raporti nënvizon se rruga drejt përafrimit të Bashkimin Evropian kërkon një përkushtim të palëkundur nga udhëheqësit e institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet.
Sipas tij ky raport i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i 300 rasteve, është dëshmi e rrugëtimit të sistemit gjyqësor në Kosovë.
Ndërsa, shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster u shpreh se rezultatet kanë munguar në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, të cilat sipas tij rrezikojnë edhe disa të parashkruhen, ndërsa edhe paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë sistematike.
Sipas raportit, progres është shënuar në rastet e krimeve të luftës e edhe në luftimin e dhunës në baza gjinore. Komente për raportin e EULEX-it patën edhe krerët e institucioneve e sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha theksoi se në aspektin e hetimeve proaktrive ka bërë reforma të mëdha duke ngritur kapacitetet e inteligjencës.
Ai shprehu përkushtimin e Policisë së Kosovë për të rritur efikasitetin në luftimin dhe parandalimin e sundimit të ligjit.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari u shpreh se këto raporte kanë mundësuar identifikimin e mangësive të sistemit të drejtësisë.
Hajdari shprehu gatishmërinë e KPK-së për bashkëpunim në trajtimin e rasteve të profilit të lartë.
Ndonëse me të gjeturat u pajtua dhe e konsideron si kredibil, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj adresoi edhe kritika.
Raporti i monitorimit të sistemit të drejtësisë, është raporti i gjashtë me radhë që është publikuar nga Misioni i EULEX-it në Kosovës. /Kosovapress/