E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX ka filluar zyrtarisht hetimet ndaj Thaçit

Kërkesat e ndërkombëtarëve, atyre amerikanë dhe evropianë, se e duan një qeveri me duar të pastra, me njerëz që nuk janë dënuar dhe nuk janë nën hetime, nuk do të vlejnë edhe për kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.

Hetimet e nisura nga EULEX-i për raportin e Dick Martyt, që janë zyrtarizuar të premten përmes një komunikate për mediat, do ta përfshijnë edhe kryetarin e PDK-së, i cili nuk është i përmendur vetëm për trafikim organesh, por edhe për trafik droge, trafik armësh dhe për aktivitete të tjera kriminale.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, ka deklaruar se sugjerimet e ndërkombëtarëve nuk duhet të nxirren nga konteksti, sepse akuzat e ngritura në raport e kanë bazën në Serbi.

“Nuk është e drejtë që të nxirren jashtë kontekstit real dhe të menduar deklaratat e kujtdo qofshin ato. Për sa u përket hetimeve të EULEX-it, ne jemi të parët që kemi kërkuar të bëhet edhe një hetim për këto akuza, të cilat tashmë janë hetuar tre herë, këto akuza të cilat janë për më shumë se 10 vjet për udhëheqësit e luftës dhe të paqes. Në këtë drejtim kryeministri do të jetë gjithsesi kryeministër i ardhshëm, normalisht”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, në raportin e Martyt, të dhënat e të cilit kanë filluar të hetohen zyrtarisht nga EULEX-i, emri i Thaçit është përmendur 24 herë. Përveç akuzave për trafikim organesh njerëzore, kryeministri në largim përmendet si udhëheqës i grupit të ashtuquajtur “Grupi i Drenicës”, që akuzohet për krime nga më të rëndat, si para, gjatë dhe pas luftës në Kosovës të UÇK-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›