E Diel, 1 Nëntor 2026

EURALIUS depoziton në fundjavë vërejtjet për SHISH

EURALIUS pritet të sjellë vërejtjet dhe propozimet e veta për projektin e kaluar tashmë edhe në komisionet parlamentare


TIRANË - Fundi i kësaj jave do të përcaktojë nëse mazhoranca e djathtë do të lëvizë apo jo nga qëndrimi i saj për sa i përket ndryshimeve në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Kjo pasi brenda kësaj jave EURALIUS, misioni i Bashkimit Europain i specializuar për asistencë ligjore në fushën e rendit dhe drejtësisë, pritet të sjellë vërejtjet dhe propozimet e veta për projektin e kaluar tashmë edhe në komisionet parlamentare, atë të Ligjeve e të Sigurisë Kombëtare.


Burime nga Komisioni i Sigurisë kanë bërë të ditur se janë në pritje që pikërisht brenda të premtes së ardhshme të kenë në dorë vërejtjet të shoqëruara edhe me propozime konkrete të këtij misioni, lidhur me pikat për të cilat ka pasur kontestime, si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga vetë Shërbimi Informativ Shtetëror.


Nuk dihet nëse sugjerimet e dhëna nga ky mision do të merren parasysh në mënyrë të plotë ose jo nga mazhoranca, pasi ligjërisht kjo e fundit nuk është e detyruar ta bëjë një gjë të tillë.


Megjithatë, për të mos acaruar marrëdhëniet edhe me Bashkimin Europian (me përfaqësuesit amerikane (PAMECA) tashmë marrëdhëniet janë të ndera pasi përfaqësuesi më i lartë i SHBA-së në vendin tonë ambasadori Xhon Withers doli publikisht kundër projektligjit), të djathtët duket se janë të detyruar që t'i marrin në konsideratë sugjerimet, që do të bëhen nga EURALIUS.


Nuk dihet ende se cilat janë nenet më të atakuar nga përfaqësuesit e huaj në vendin tonë, por nga ajo që u prezantua nga vet përfaqësuesit e SHISH-it gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Sigurisë mësohet se tre janë dispozitat, ku dhe pritet të ndërhyhet në këtë draft dhe pikërisht neni 2, 3 dhe 9 i tij.


Pra, bëhet fjalë për nenin 2, me anë të cilit kërkohet të ndryshohet ajo pike ku përcaktohen detyrat e SHISH-it dhe pikërisht paragrafi i dhjetë, i cili sanksionon se shërbimi në përmbushje të detyrave të tij për bashkëpunimin dhe marrjen e informacionit për shërbimet e tjera duhet të marrë paraprakisht në parim pëlqimin e kryeministrit.


Problematik për sa i përket pavarësisë konsiderohet edhe neni 3 i draftit paragrafi 7, nëpërmjet të cilit përcaktohet se drejtori i SHISH-it i raporton kryeministrit në çdo kohë për çështjet që lidhen me veprimtarinë e tij. Të dyja këto amendamente janë konsideruar, si nga drejtuesit e SHISH-it, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë, si një mundësi që i krijohet kryeministrit për të ndërhyrë dhe kontrolluar veprimtarinë e këtij shërbimi.


Madje, sipas ndërkombëtarëve, këto ndërhyrje cenojnë edhe pavarësinë politike të këtij institucioni, i cili deri më tani ka qenë nga të vetmit që mbetur pa u prekur nga mazhoranca qeverisëse.


Një tjetër pikë e këtij projekti që ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vet këtij shërbimi dhe shumicës qeverisëse është edhe neni 9, i cili siç mësohet është vendosur në projektligj nga mazhoranca pa pëlqimin e drejtuesve të SHISH-it.


Pra, bëhet fjalë për dispozitën kalimtare me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH-it, i cili do të ketë tashmë një mandat 5-vjeçar, pavarësisht se nga e drejta e rikandidimit nuk përjashtohet as kreu aktual Bahri Shaqiri.


Megjithatë, nga mënyra dhe këmbëngulja e mazhorancës në këtë variant tregon qartë se qëllimi i saj midis të tjerave është edhe zëvendësimi i drejtorit aktual, Bahri Shaqirit, në krye të SHISH-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›