E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statut, zbardhet projekti i PS-së

Në paketën e ndryshimeve statusore nuk është ndërhyrë në kompetencat e kryetarit të Partisë Socialiste. Për këtë çështje, do të ndërhyhet më vonë


Organizimi i partisë do të kalojë në bazë rrethi. Ndryshon mënyra e zgjedhjes së kryetarëve të partisë në komuna dhe bashki


TIRANË - Ndryshimet statutore të Partisë Socialiste që pritet të miratohen në Kongresin e 18 prillit do të prekin kryesisht pjesën e organizimit dhe funksionimit të kësaj force politike dhe forumeve të saja në bazë në mënyrë që ta përshtasë këtë pjesë të strukturës partiake me nevojat dhe kërkesat elektorale.


Gazeta ka mundur të sigurojë disa nga ndryshimet më të rëndësishme që prekin këtë pjesë të statutit dhe me anë të të cilave organizimi i partisë kalon nga ai në bazë qarku, siç është aktualisht në bazë rrethi, si një përpjekje për ta afruar më shumë organizimin partiak me bazën.


Ndryshimet


Socialistët parashikojnë në këtë paketë ndryshimesh që të formojnë sërish Partinë Socialiste të Rrethit, e cila do të ketë të gjitha strukturat dhe forumet e saj drejtuese, duke përfshirë kryetarin, asamblenë etj.


Kryetari i PS-së i Rrethit do të zgjidhet sipas parimit "një anëtar, një votë" dhe për të do të votojë e gjithë anëtarësia socialiste e atij rrethi. Ndërkohë, pjesë e Asamblesë Socialiste të Rrethit do të jenë edhe kryetarët e partisë në komuna dhe bashki, sekretarët e zonave zgjedhore, drejtuesit e forumit të gruas dhe FRESSH-it. Ndryshim parashikohet në këtë paketë të pësojë edhe mënyra e zgjedhjes së krerëve të partisë së bashkisë dhe komunave.


Ndryshe nga deri më tani ata propozohet të mos zgjidhen më sipas parimit "një anëtar, një votë", por nga forumet lokale, siç është asambleja. Një ndërhyrje kjo që duket se vjen edhe nga rezultati jo pozitiv që dha në zgjedhjet e shkuara zgjedhja e këtyre krerëve sipas parimit një anëtarë një votë.


Sipas burimeve pranë selisë rozë mësohet se një praktikë e tillë bëri të mundur që në krye të këtyre degëve të zgjidhen persona me mbështetje të gjerë në anëtarësi dhe tek qytetarët, por të cilët jo domosdoshmërisht ishin persona me veti të larta organizative dhe drejtuese.

Për herë të parë PS-ja duke iu përshtatur edhe sistemit aktual zgjedhor, do të ketë dhe një sekretar partie për çdo Zonë të Administrimit të Zgjedhjeve (ZAZ) i cili natyrisht do të bëj lidhjen mes njësisë vendore dhe zonës elektorale. Ndërkohë që duke u nisur edhe nga përvoja e shkuar, PS-ja do të krijojë edhe institucionin e koordinatorit të qarkut, i cili do të jetë një urë lidhëse mes bazës dhe partisë në qendër, kjo pasi ai do të jetë njëkohësisht edhe anëtarë i kryesisë së Partisë Socialiste.

Në paketën e ndryshimeve statutore janë përfshirë edhe disa amendamente për sa i përket forumit të gruas dhe atij të rinisë socialiste. Të dyja këto forume do të kenë të njëjtën mënyrë organizimi, si dhe Partia Socialiste, pra në rang komune, bashki dhe rrethi. Këto dy organizata do të kenë përfaqësuesit e tyre në të gjitha strukturat partiake, kryesi bashki/komune dhe rrethi.


Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në paketë nuk janë prekur kompetencat e kryetarit të Partisë Socialiste. Kjo pasi është menduar se ky nuk është momenti i duhur për të hapur një debat të tillë, pasi ajo që i duhet tashmë kësaj force është një riorganizim i strukturave në bazë për t'i përgatitur ato për sfidat më të afërta zgjedhore. Sipas të njëjtave burime, mësohet se për sa i përket kësaj çështje do të ndërhyhet në një moment më të vonë kur edhe situata politike të jetë më e qetë.

Paketat


Ndryshimet në Statutin dhe Programin e Partisë Socialiste para se t'i kalojnë për miratim Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit janë programuar t'i bëhen të njohura paraprakisht edhe një herë të deleguarve të anëtarësisë në Kongres.


Kjo me të vetmin qëllim për t'i njohur delegatët e kongresit me përmbajtjen e tyre në mënyrë që gjatë votimit ata të mos ngrenë kartonët pa pasur një ide për ndryshimet, për të cilat duhet të votojnë. Ky proces mësohet se do të shërbejë gjithashtu që përfaqësuesit e anëtarësisë në forumin më të lartë vendimmarrës të mund të bëjnë edhe vërejtjet apo ndonjë sugjerim të fundit para se drafti të kalojë për miratim në Asamble dhe më pas Kongres.


Ndërmarrja e kësaj nisme prezantuese të këtyre amendimeve pritet që të shtyjë edhe mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila ishte programuar të mblidhej brenda kësaj jave. Kështu, mësohet se për shkak të këtij procesi është menduar që mbledhja e Asamblesë të mund të zhvillohet në fund të javës ardhshme, duke parë se në këtë fundjavë bien edhe festat e pashkëve ortodokse dhe katolike.


Vetëm një jave pasi të mblidhet Asambleja, këto dy drafte do të kalojnë për miratim përfundimtar në Kongres, gjatë së cilit gjithashtu pritet të diskutohet edhe për çështjet politike dhe qëndrimin e PS-së karshi institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›