EURALIUS shkon përtej PD e PS: Parashikon mbrojtje të deputetit edhe për shpifjet
Këshilli i Legjislacionit u mblodh sërish sot për të dëgjuar mendimet e përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri, të cilët asistojnë sistemin e drejtësisë, në lidhje me dy nismat e PS dhe PD për heqjen e imunitetit. Nisma e LSI është nxjerrë jashtë diskutimit për shkak se nuk kishte firmat e nevojshme.
Përfaqësuesi i EURALIUS, misioni i asistencës së BE për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, deklaroi se të dy nismat, edhe ajo, edhe ajo e PS, në fakt janë nisma të mira. Por ndryshe nga PS e PD, ai shkoi më tej, duke thënë se për deputetët duhet mbrojtje edhe në rast se shpifin, duke garantuar kështu një liri edhe më të madhe për ta për të shprehur hapur mendimet. Në nismat e PD, por edhe të PS, thuhet se deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend, përveçse në rastin e shpifjes.
Përfaqësuesi i EURALIUS tha se fjala e deputetit nuk është korrupsion.
Sa i përket një tjetër diskutimi, atij për kontrollin e banesave të deputetëve, EURALIUS sugjeroi që diçka e tillë të rregullohet me Kodin Penal, pa u sanksionuar në Kushtetutë.
Përfaqësuesit e EURALIUS ishin për kufizimin e imunitetit për gjyqtarët dhe jo për heqjen e plotë.
Një tjetër diskutim ka lindur në lidhje me imunitetin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. EURALIUS thotë se ata duhet të trajtohen njësoj si anëtarët e gjykatave të tjera, duke pasur parasysh faktin se Gjykata e Lartë do jetë shumë shpejt një gjykatë karriere dhe anëtarët e saj nuk do zgjidhen nga parlamenti. Në këtë mënyrë ata do trajtohen si gjykatësit e tjerë të çdo niveli. Për arrestimin e tyre mund të vendosë KLD dhe jo parlamenti.
Sa i përket mundësisë që një deputet të rivishet me imunitet, përfaqësuesit e EURALIUS po ashtu bënë një propozim të papritur, duke përkrahur sërish opozitën. Ata thanë se votimi për riveshjen me imunitet të bëhet edhe nga një numër më i vogël se shumica e thjeshtë. Në këtë mënyrë deputetët do të rivishen me imunitet për tu mbrojtur nga persekutimi i pushtetit.