Statusi kandidat: BE lë Shqipërinë në fund të Ballkanit
Presidenca e Bashkimit Europian dhe Komisioni, në një deklaratë bilanci për gjashtë muajt e Presidencës daneze, Shqipërinë e kanë renditur në fund për nga progresi i arritur gjatë periudhës nga janari deri në korrik, raporton Shqip. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, si dhe ministri danez për Çështjet Europiane, Nicolai Wammen, dje nga Brukseli, kanë lëshuar një deklaratë ku theksohet veçanërisht për Shqipërinë se progresi i mëtejshëm i vendit në lidhje me statusin e vendit kandidat, do të varet nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria e dialogut mes forcave politike dhe arritja e rezultateve të prekshme për 12 prioritetet.
Tekstualisht, në deklaratën e Fule-Wammen, theksohet: Në vijim të marrëveshjes politike mes qeverisë dhe opozitës të arritur në nëntor 2011, në vitin 2012, në Shqipëri, janë bërë përpjekje të vërteta nga të dyja palët politike për çuarjen përpara të reformave. Progresi i mëtejshëm do të varet në shkallë të gjerë nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria e dialogut mes forcave politike dhe gjithashtu nga arritja e rezultateve konkrete dhe të prekshme nga Shqipëria në trajtimin e reformave të rëndësishme që lidhen me Bashkimin Europian, që njihen si 12 përparësitë kyçe.