E Enjte, 5 Nëntor 2026

EURO2024, Portugalia përmbys 2-1 Çekinë

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Portugalia përmbysi mbrëmjen e sotme 2-1 Çekinë në një ndeshje shumë të luftuar.

Pas pjesës së parë që u mbyll 0-0, ishte Çekia që kaloi e para në avantazh në pjesën e dytë. Goli i Provod në minutën e 62 i dha epërsinë çekëve.

Portugalia më pas shtoi presionin në sulm. Si pasojë e aksioneve të shpeshta, Portugalia detyroi Hranac që në minutën e 69 të shënonte në portën e tij, për barazimin 1-1.

Duhej minuta e dytë shtesë që i sapofuturi Conceicao të shënonte golin e dytë dhe të përmbysjes te Portugalia, me “Luzitanët” që marrin tri pikë dhe barazojnë Turqinë në krye të Grupit F, e cila mundi 3-1 Gjeorgjinë.

Në përballjen e Leipzigut Cristiano Ronaldo u bë lojtari i vetëm që ka luajtur në gjashtë Kampionate Evropiane, ndërsa Pepe lojtari më i vjetër që luan në Euro në moshën 41 vjeç e 113 ditë.

Formacionet zyrtare:

Portugalia: Diogo Costa, Ruben Dias, Pepe, Nuno Mendes, Dalot, Bruno Fernandes, Vitinha, Cancelo, Bernardo Silva, Rafael Leao, Ronaldo.

Çekia: Stanek; Holes, Hranac, Krejcí; Coufal, Soucek, Provod, Sulc, Doudera; Kuchta, Schick.

/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›