FOKUS – Putini viziton Korenë e Veriut, ndërsa hendeku mes tij dhe Perëndimit thellohet

PHENIAN, 18 qershor /ATSH/ – Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Korenë e Veriut në një vizitë të rrallë që sinjalizon shtrirjen në rritje të dy vendeve dhe nevojën e Moskës për të marrë armë nga Pheniani për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës, sipas CNN.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un e përshëndeti personalisht Putinin në platformën e avionit kur ai mbërriti në kryeqytetin e Koresë së Veriut.
Media shtetërore ruse, RIA raportoi se të dy udhëheqësit ndaluan dhe folën me njëri-tjetrin për disa minuta përpara se të ribashkoheshin me autokolonat e tyre.
Rrugët e Phenianit janë zbukuruar me flamuj rusë dhe postera të Putinit përpara vizitës së tij të parë në vend që nga viti 2000.
Vizita e kësaj jave shënon një udhëtim të rrallë jashtë vendit për Putinin që kur filloi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 dhe një moment kyç për Kim, i cili nuk ka pritur një lider tjetër botëror në vendin e tij të izoluar politikisht që nga pandemia Covid-19.
Vizita e Putinit do të ndiqet nga afër në mbarë botën dhe pritet të çimentojë më tej partneritetin në rritje midis dy fuqive, të bazuar në armiqësinë e tyre të përbashkët ndaj Perëndimit dhe të nxitur nga nevoja e Moskës për municione për luftën e saj në Ukrainë.
Pas vizitës së tij në Korenë e Veriut, Putini është planifikuar të udhëtojë në Hanoi për të demonstruar lidhjet e Vietnamit, të sunduar nga komunistët, me Rusinë që ka të ngjarë të irritojnë SHBA.
”Udhëtimi i Putinit në Korenë e Veriut do të ketë një program me shumë ngjarje”, tha ndihmësi i tij Yuri Ushakov në një konferencë shtypi.
Të dy krerët synojnë të nënshkruajnë një partneritet të ri strategjik.
Ushakov këmbënguli se marrëveshja nuk është provokuese apo e drejtuar kundër vendeve të tjera, por synon të sigurojë stabilitet më të madh në Azinë Verilindore.
Ai tha se ”marrëveshja e re do të zëvendësojë dokumentet e nënshkruara midis Moskës dhe Phenianit në 1961, 2000 dhe 2001”.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, u tha gazetarëve se ”administrata Biden nuk ishte e shqetësuar për vizitë, por për thellimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve”. /os/