E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Gora kërkon komunë

Vazhdojnë kërkesat për themelimin e komunave të reja në Kosovë. Pas Hasit dhe Zhegrës, një kërkesë të tillë e kanë edhe banorët e Gorës, të cilët dëshirojnë të kenë një komunë të veten. Banorët e kësaj ane të Kosovës pohojnë se meritojnë të kenë një komunë të tyre, në mënyrë që të inkuadrohen sa më mirë në institucionet e Kosovës.

Ata madje këtë kërkesë ia kanë paraqitur edhe eurodeputetes Ulrike Lunachek, e cila vizitoi banorët e Gorës. “Ishte një debat interesant për goranët në jug të Kosovës, problemet e identitetit, çështjen e gjuhës, debatin nëse duhet të migrojnë ose jo, kërkesën e tyre për të pasur një komunë të veten, e cila është temë diskutimi edhe në Prishtinë, temë të cilën jam duke e ndjekur”. Ka thënë Ulrike Lunachek, transmeton KTV.

Ndërkohë, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal theksojnë se janë duke punuar në krijimin e kushteve për t’i bërë këto komuna të reja. Drejtori i Departamentit për bashkëpunim dhe zhvillim rajonal në këtë ministri, Besim Kamberaj, ka deklaruar se Gjonaj, Rogova dhe Zhegra, si dhe rajone të tjera duhet të presin ende për t’u bërë komuna. Sidoqoftë, banorët e Gorës shpresojnë në premtimin që u kishte bërë kryeministri Thaçi për ta themeluar një komunë të re në këtë rajon.,Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovës, Gora ka afro 14 mijë banorë dhe rreth 18 fshatra./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›