Dogana në pritje të formimit të Fondit për Veriun

Dogana e Kosovës është në pritje të formimit të Fondit për Veriun për të nisur mbledhjen e taksave në dy pikat kufitare në veri të vendit. Drejtori i Doganave, Naim Huruglica, ka thënë se kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Ai ka pranuar se nga arritja e kësaj marrëveshjeje dhe stabilizimit të situatës në dy pikat kufitare ka bërë që të rritet numri i maunave, mirëpo kjo, sipas tij, po ndodh për shkak të afërsisë për të sjellë më shpejt mallin në Kosovë.
Sipas parashikimeve të Doganës, nga këto dy pika kufitare vlera e importit e destinuar për gjithë vendin nuk kalon 25 milionë euro brenda një viti, kurse ajo e destinuar vetëm në veri dhe që do të shkojë në konton e Fondit të Veriut nuk do të kalojë 5 milionë euro. Marrëveshja, sipas drejtorit të Doganave, Huruglica, do të ndikojë që lufta ndaj kontrabandës të bëhet edhe më e madhe.
Fondi i Veriut, sipas marrëveshjes së Brukselit, është dashur të formohet nga përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Zhbogar dhe ku përveç tij në menaxhim të fondit do të jenë edhe një përfaqësues i qeverisë dhe një nga veriu i vendit. Mirëpo, formimi i Fondit ka mbetur peng i Gjykatës Kushtetuese, pasi që Vetëvendosje kishte kërkuar nga kjo e fundit një përgjigje në lidhje me kushtetutshmërinë e formimit të këtij fondi. Sipas informatave që KTV-ja ka arritur të sigurojë, Fondi i Veriut do të ketë jetëgjatësi deri në nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së./Indeksonline/