Edhe Jahjaga e Nikoliqi në festën e Kroacisë

Vetëm një javë e ndan Kroacinë nga hyrja në BE. Për të kremtuar këtë datë, Kroacia ka vendosur të ftojë liderë evropianë e rajonalë. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka pranuar se është gjetur edhe zgjidhja e cila do ta mundësojë pjesëmarrjen edhe të Kosovës e edhe të Serbisë në këtë ngjarje.
Pusiq ka thënë për mediet serbe se zgjidhja është gjetur, megjithëse nuk ka folur për të më gjatë.
“Më duket e çuditshme që për rreth një javë, Kroacia, pas këtyre 10-12 vjetëve, do të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Këtë do ta kremtojmë me miq nga Evropa dhe rajoni. Për ne, rajoni ende është temë kyçe dhe tejet e rëndësishme”, ka thënë Pusiq, duke shtuar:
“Po, e kemi gjetur mënyrën nëpërmjet së cilës në këtë ngjarje do të jenë edhe delegacioni nga Serbia, niveli më i lartë i Serbisë, edhe ai nga Kosova”. Ajo ka bërë me dije se këto dy vende do të përfaqësohen nga presidentët përkatës, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikoliq. /Indeksonline/