Edhe gratë e ministrave do paguhen nga shteti
Kodi Etik i hartuar prej kryeministrit socialist Edi Rama sanksionon në nenin 36 të tij që edhe grave apo partnerëve të ministrave që udhëtojnë jashtë vendit u duhet paguar bileta e avionit dhe hoteli me paratë e shtetit. Pas udhëtimit masiv me biznes-klas, kabineti i luksit ka zyrtarizuar normat e shpërdorimit të parave publike. Kështu, me vendim qeverie, taksapaguesit do të paguajnë me qeverinë Rama edhe gratë e burrat e ministrave me portofol dhe pa portofol
Janë dashur tre ditë që qeveria “Rama” të zbardhë vendimet që mori në mbledhjen e parë të saj. Edhe pse u nxitua menjëherë me njoftimin në faqen zyrtare të Kryeministrisë për të botuar 3 vendimet e para, asnjëri prej tyre nuk u zbardh dhe kjo u kritikua nga gazetarët dhe dhe opozita. Mirëpo vendimet janë zbardhur dhe interesi për kodin e Etikes, i konsideruar dhe kod i heshtjes tashmë është shuar. Kodi i heshtjes përcakton qartë se si duhet të sillen Ministrat e qeverisë se re. Në 41 nene të këtij vendimi përcaktohet sjellja e çdo anëtari të kabinetit në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i organit kolegjial apo si organ individual, si dhe në cilësinë e tij personale, në përputhje me interesin e ligjshëm publik dhe me programin e qeverisë. Ajo që ra më shumë në sy ishte neni 36 ku përcaktohen edhe shpenzimet e udhëtimit për bashkëshortët/bashkëjetuesit e Ministrave të kabinetit “Rama”. Sipas kodit fjalë për fjalë: “Shpenzimet për bashkëshortin/bashkëjetuesin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, kur ata shoqërojnë ministrin për detyrat zyrtare të këtij të fundit, mund të mbulohen nga fondet publike, me kusht që të jetë e qartë se shoqërimi i ministrit nga ai/ajo është në interesin publik. Pëlqimi i Kryeministrit duhet të merret në çdo rast para udhëtimit”. Pra, edhe gratë e ministrave që do të udhëtojnë jashtë do të paguhet nga shteti, duke hapur një shteg për abuzime të mëdha më fondet e ministrave për motive personale. Ndërsa deri tani as që çohej nëpër mend që ministër në një udhëtim zyrtar të shoqërohej nga bashkëshorti/bashkëshortja. Pra shpenzime të tjera ekstra. Udhëtimi jashtë i ministrave është punë e tyre, si e tillë nuk ka fare nevojë shoqërimi nga bashkëshorti, madje është krejt i pakuptimtë. Në një rast hipotetik bashkëjetuesja e ministrit pa portofol Bledi Cuçi që flitet se është ish-gruaja e Edi Ramës, Delina F. mund të udhëtojë bashkë me burrin ministër Cuçi dhe ish-burrin kryeministër me paret e taksapaguesve? Këto ngatërresa protokollare që sanksionohen në kodin Etik të kryeministrit Rama janë çmendurira të dorës së parë që sanksionojnë amoralitete të papara. Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Me lekët e shtetit kryeministri i vendit Edi Rama nuk po njeh kufizime shpenzimi. Nuk mjafton të shpenzojë kot para për të arreduar nga e para sallën e Këshillit të Ministrave apo të bëjë ndryshime me zëvendësimin revanshist të fotografisë së presidentit të Republikës Nishani me fotografinë e zbehtë të Ismail bej Qemalit nëpër zyrat e ministrave analfabetë në administrim dhe qeverisje të punëve të shtetit. Por edhe në ditën e parë të qeverisë, kryeministri Rama e nisi me një shpenzim për luks duke udhëtuar drejt Brukselit zyrtar me biznes klas, vendi më luksoz në avion që rezervohet kryesisht nga biznesmenët dhe afaristët e pasur. Ndërsa me këtë kod Etik edhe ministrat e kabinetit “Rama” dhe bashkëshortet/bashkëjetueset e tyre do të udhëtojnë bashkë në sektorin biznes-klas duke shtuar edhe më shpenzimet operative të ministrave. Rama “ultimatum” Ministrave: Brenda javës spastroni administratën/Kryeministri Edi Rama mbajti mbrëmjen djeshme mbledhjen e dytë me kabinetin e tij qeveritar. Rama gjatë mbledhjes u ka kërkuar Ministrave paraqitjen brenda një jave të planeve për reformën strukturore në çdo ministri, duke kërkuar të spastrohet administrat deri në 40 % të punonjësve, që shkon deri në 30 mijë veta. Megjithatë duhet thënë se ishin të pritshme këto kërkesa për gjoja reformë strukturore nga ana e krueministrit socialist Rama dhe kjo ka një arsye. Arsyeja është lidhja drejtpërdrejt me revanshin që ka përgatitur Rama në administratën shtetërore dhe kjo gjë do të bëhet vetëm me ndryshime strukturash dhe ngritje të ministrive të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmanget padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave është përmbyllur me marrjen e dy vendimeve: 1- Përcaktimi i fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. 2- Përcaktimi i Fondit për funksionimin e ministrive të reja. Kjo e fundit është në sinkron me shtimi i pesë ministrive të reja në strukturën e kabinetit qeveritar pa dyshim do të rrisin koston e administratës në buxhetin e shtetit duke hapur gropa të mëdha financiare. Edi Rama po i del përpara kësaj duke rikthyer Fondin Monetar Ndërkombëtar që do ta këshillojë të heqë dorë nga investimet e reja infrastrukturore, duke i kanalizuar fondet publike në shtimin e administratës publike për të kënaqur orekset revashiste. Në fakt ky model është paraparë i dështuar në Greqi, ku ish-kryeministri socialist Jorgos Papandreu fryu administratën publike deri në atë masë sa iu kthye bumerang. Rritja e burokracisë do të shkaktojë një çekuilibër të financave dhe do ta kthejë ekonominë në një lopë që milet për të ushqyer një klientelë të caktuar konjukturale. Dhe për të mbajtur këtë burokraci super të fryrë me patjetër do të gjenden mënyra për të taksuar edhe më shumë shqiptarët. Sidoqoftë fill pas mbledhjes së qeverisë, Kryesocialisti Rama i është drejtuar qytetit bregdetar të Durrësit. Rreth orës 21:00 ai ka zhvilluar një takim me kryesinë e Partisë Socialiste në ambientet e një lokali në bregdet, ku mungoi kryebashkiaku Vangjush Dako ndërsa vlen të theksohet fakti se kjo është mbledhja e dytë e kryesisë së PS që prej zgjedhjeve të 23 qershorit pa praninë e Gjushit të Durrësit.
...