E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe ju, a?

Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Auditori ka gjetur mjaft parregullsi. Akademia ka shkelur ligjin e prokurimit, ka paguar këshilltar për çështje intelektuale jashtë çdo rregulli ligjor, janë bërë dallavere me bileta të avionit, pa lënë anash edhe parregullsitë në kategorinë për mallra dhe shërbime. Nga Nebih Maxhuni më 01 qershor 2011 në ora 08:35

Nëse deri më sot, rrallë kemi dëgjuar se e kanë çelë gojën, edhe tash kur vendi ballafaqohet me shumë probleme. Këta janë akademikët e Kosovës, të cilët së paku nga opinioni i përgjithshëm, njihen si intelektualë që nuk shquhen për keqpërdorime dhe dallavere.

Por Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës, në raportin e punës për vitin 2010, ka gjetur një thes keqpërdorime në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Auditorët në këtë institucion të lartë, kanë gjetur parregullsi në prokurim, pastaj pagesa të dhëna për operatorët ekonomik para se të nënshkruhet kontrata, paga për këshilltar për këshillime intelektuale, bileta avioni e keqpërdorime të tjera.

Në këtë dokument të publikuar të martën, shkruan se gjatë rishikimit të procedurave të zhvilluara të prokurimit (kuotimi i çmimeve) nga ana e ASHAK-ut, për botimin e monografisë për Rexhep Ferrin, është vërejtur se nuk janë përfillur procedurat e prokurimit.

“Përveç operatorit fitues, operatorët tjerë kanë ofruar çmimin më të lartë sesa që lejohet sipas kuotimit të çmimit, e që rrjedhimisht ata i bënë jo të përgjegjshëm. Më tej, kriteri për dëshminë e obligimeve të kryera ndaj ATK-së që është kërkuar, sipas dosjes së tenderit, nuk është ofruar nga operatorët ekonomik”, thuhet në raport.

Por ky nuk është rasti i vetëm ku auditorët kanë gjetur parregullsi sa i përket respektimit të ligjit të prokurimit publik nga ana e ASHAK’ut.

“Në lidhje me lëndën furnizim për zyrë, procedurat e zhvilluara të prokurimit nuk ishin në harmoni me LPP, pasi që fatura në vlerë prej 1,593 euro e Operatorit Ekonomik, është paraqitur për pagesë para datës së kontratës”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit Gjeneral të Kosovës.

E intelektualët e Kosovës janë kujdesur që edhe sa herë të udhëtojnë me avion jashtë vendit, edhe aty të bëjnë “lëshime”. “Në lëndën ‘Furnizim me bileta avioni për anëtarët e ASHAK-ut dhe vizitorët e saj” me vlerë prej 1,665euro, është vërejtur se nuk është respektuar kontrata sa i përket çmimeve, konkretisht Operatorit Ekonomik i janë paguar 2,388 euro, pra rreth 723 euro më shumë se sa është vlera e kontratës”, shkruan më tej në këtë dokument.

Në raport më tej saktësohet se kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka angazhuar edhe një këshilltar, për t’i dhënë këshilla për çështje intelektuale.
Ky këshilltar edhe pse ka pasur kontratë mbi vepër, ai është paguar sikurse të gjithë punëtorët e tjerë në këtë institucion.

“Pagesa e punëtorëve me kontratë për shërbime të veçanta, (këshilltari i kryetarit të ASHAK`ut, i cili ka kontratë mbi vepër), paguhet nga kategoria e pagave, e jo nga kategoria adekuate - shërbime të ndryshme Intelektuale dhe Këshillëdhënëse”, thuhet në raport.

Dobësi në sistemin e Kontrollit të Brendshëm

“Ne kemi identifikuar dobësi të caktuara të kontrollit në fushat e paraqitura në seksionet më lartë. Dështimi në zbatimin e disa rekomandimeve të dhëna nga ZAP në auditimin e vitit 2009, tregon se të njëjtat dobësi të kontrolleve të brendshme ende ekzistojnë. Shembuj të ndryshëm të cekur më lart të kontrollit të dobët flasin për faktin se kontrolli i përgjithshëm i ASHAK-ut, ka disa dobësi në zbatimin e kontrolleve të brendshme”, thuhet ndër të tjera në raport.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›