Ekzekutohet Geci
Xheladin Geci është ekzekutuar me 36 plumba në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Uglar të Fushë-Kosovës.
Vrasja ka ndodhur rreth mesnatës, ndërmjet të dielës e të hënës dhe sipas familjarëve, vrasësit kanë shkuar aty me një veturë të tipit Jeep, ngjyrë të zezë.
Geci, dikur pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mendohet se është qëlluar nga dy apo tre persona, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi.
Sipas policisë, viktima, 52 vjeçar, i martuar dhe baba i një djali, ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që personi i prezantuar si gjyshi i të ndjerit, thotë për Express se nipi i është vrarë në oborrin e shtëpisë.
“Ka dalë me ble bukë... Ka ardhë një xhip i zi me dy-tre persona brenda. Kanë gjuajt në nipin tem dhe me 36 plumba është vrarë”, thotë plaku, i cili megjithatë, nuk pranon të tregojë emrin.
Familja Geci thotë të mos ketë ide se kush mund ta ketë kryer këtë krim, apo se cili është motivi prapa kësaj vrasjeje.
Ata tregojnë se nuk kanë asnjë të dhënë nëse i ndjeri ka pasur mosmarrëveshje më parë më dikë, përveç që tregojnë se gjatë luftës ka qenë pjesëmarrës në Betejën e Koshares.
Ndërkohë, sipas të dhënave të arkivave të medieve të Kosovës, del se Geci, para dhjetë vjetësh, ka qenë i dënuar me tre vjet burg.
Në vitin 2000, i ndjeri së bashku me Sabit Gecin, ishin dënuar për veprën penale të tentim shtrëngimit të rëndë (haraç), rrezikim të sigurisë së disa personave dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, nëpërmjet shpërthimit dhe formave të tjera të dhunshme.
Sipas aktakuzës së asaj kohe, Sabit Geci, Xheladin Geci dhe Ilir Tahiri ishin gjetur fajtorë dhe në mënyrë respektive ishin dënuar me pesë, tre dhe katër vjet burg.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...