E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe kampioni në krizë

Edhe kampioni i ri i Kosovës në futboll, Trepça po përballet me krizë financiare, sikurse edhe pjesa dërrmuese e klubeve të tjera kosovare.

Si pasojë e kësaj krize, shumica e futbollistëve gjelbërezi akoma nuk kanë nënshkruar kontrata të reja me klubin, dhe nëse një gjë e tillë nuk bëhet deri të premten që vjen, disa lojtarë aktualë të Trepçës mund të lëvizin nga aty.

Në fakt, drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshje me futbollistët për vazhdimin e kontratave. Por, ato akoma nuk janë nënshkruar mes palëve, sepse futbollistët duan që fillimisht t’i marrin të hollat dhe më pas ta vënë të zezën mbi të bardhë.

“Të gjithë lojtarët kemi arritur marrëveshje gojore me klubin për vazhdimin e kontratave. Por, ende nuk i kemi nënshkruar ato sepse nuk i kemi marrë paratë. Në javën që shkoi ka qenë e paraparë që lojtarët t’i marrin paratë dhe t’i nënshkruajnë kontratat. Mirëpo, afati u shty deri të premten që vjen. Nëse nuk i marrim paratë deri të premten, atëherë disa futbollistë mendojnë të kalojnë në klube të tjera, prej të cilave kanë marrë oferta”, deklaroi për Express një futbollist i Trepçës, në kushte anonimiteti.

Si pasojë e kësaj zvarritjeje të nënshkrimit të kontratave, ky futbollist i kampionit të ri të Kosovës tha se po prishet edhe atmosfera në ekip. Madje, ai shtoi se ekipi s’ka kushte të mira as për të stërvitur.

“Atmosfera është jo e mirë në stërvitje. Klubi ka synime të mëdha për edicionin e ri, por nuk di si do të mund t’i arrijmë synimet kur nuk kemi kushte të mira. Nuk ka organizim të mirë. As topa nuk kemi të mjaftueshëm për stërvitje. Po ashtu, shumë lojtarë kyçë janë larguar”, theksoi ai.

Sipas tij, Trepça akoma ua ka borxh nga një rrogë disa futbollistëve nga edicioni i kaluar. Po ashtu, ai tha se klubi u ka mbetur borxh edhe nga dy-tri premi të gjithë lojtarëve të saj prej edicionit të kaluar.

Në anën tjetër, kryetrajneri i skuadrës, Gani Sejdiu mohon që atmosfera në ekip të jetë e zymtë.

“Nuk është e vërtetë se në ekip nuk ka atmosferë të mirë. Përkundrazi. Atmosfera është fenomenale dhe po stërvitim maksimalisht dhe me përkushtim të madh. Sikur të mos kishte atmosferë të mirë, as unë vetë nuk do të pranoja të punoja, sepse e kam princip të punoj në ekip që ka atmosferë”, tha Sejdiu për Express, i cili ka arritur marrëveshje me Trepçën për vazhdimin e kontratës, por është në pritje të nënshkrimit të saj.

Ndërsa, edhe Sejdiu pranoi se nëse klubi nuk i nënshkruan kontratat me futbollistët deri të premten, atëherë Trepçën mund ta braktisin disa nga ta.

“Është normale se mund të shkojnë disa futbollistë nëse nuk nënshkruhen kontratat, sepse kanë oferta prej klubeve të tjera. Mirëpo, nga Kryesia kemi marrë sinjale se brenda pak ditësh gjithçka do të rregullohet dhe unë besoj se kështu edhe do të ndodhë”, shtoi Sejdiu.

Ai po ashtu pranoi se ekipi ka mungesë të pajisjeve sportive për stërvitje. “Kemi pak topa, sepse pas ndeshjes së fundit të kampionatit, shumë topa dhe veshje të tjera sportive u janë shpërndarë tifozëve. Mirëpo, për këtë fazë përgatitore nuk na nevojiten aq shumë ato pajisje. Kemi porositur topa dhe pajisje të tjera sportive, të cilat shpejt do të na vijnë”, tha ai.

Në anën tjetër, sekretari i klubit, Hajrullah Haxhiu pranoi se edhe në Trepçë ka krizë financiare, por ajo është dukshëm më e vogël në dallim me atë që është prezente në disa klube të tjera kosovare.

“Situata financiare nuk është e mirë në asnjë klub. Edhe klubet e ligave evropiane janë në krizë, e lëre më ne, që nuk kemi asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore. Shpenzuam mbi 300 mijë euro në edicionin e fundit dhe u shpallëm kampion, kurse Federata e Futbollit e Kosovës nuk na e kreu as një darkë festive”, tha Haxhiu.

“Kryetari Nexhmedin Haxhiu ka arritur marrëveshje me lojtarët. Tani ka mbetur që klubi t’ua japë atyre të hollat dhe t’i nënshkruajnë kontratat. Sigurisht se kjo do të bëhet gjatë kësaj jave. Lojtarët, besoj se nuk do të mund të gjejnë në asnjë klub kushte më të mira sesa që i kanë në Trepçë”, theksoi Haxhiu.

Ai pohoi se synim i Trepçës edhe në edicionin e ri do të jetë mbrojtja e titullit të kampionit, ndonëse nga skuadra tashmë janë larguar disa lojtarë kyçë si: Hyseni, Doqi, Kaçiu, Ismaili, Sahiti, Haziri e Pertinac, ndërkohë ende nuk dihet e ardhmja e Ahmetit dhe e Sërmaxhajt. Kurse, minatorët gjer më tani janë përforcuar me Faruk Zenelin, Shpëtim Fetahun e Isuf Sejdiun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›