E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe meshkujt shtiren gjatë orgazmës

Gazeta Shqip

Një studim i ri i kryer nga akademikët e Universitetit të Harvardit zbulon se edhe meshkujt falsifikojnë kënaqësinë kulmore gjatë aktit seksual

Studimi 

orgazma (1) orgazma (2) orgazma (3) orgazma (4)

Prej kohësh femrat fajësohen gjithnjë për shtirjen në momentet e pasionit në dhomën e gjumit, por një numër surprizues meshkujsh sajojnë orgazma të rreme gjithashtu, shprehet një studim i ri i kryer nga akademikët e Universitetit të Harvardit.

Në librin e ri Why Men Fake it, të dr. Abraham Morgentaler një profesor i urologjisë tregon për histori të shumta të meshkujve, që rrëfejnë se janë shtirur për pikën më kulmore të aktit seksual gjatë orgazmës. Por tronditja më e madhe e shkencëtarit ishte arsyeja që i shtynte meshkujt të vepronin në këtë mënyrë.

Kur fillova studimet për të arritur një përfundim mbi çështjen e mësipërme, ajo që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë këtyre 25 viteve punë, është historia e një burri, i cili u shpreh se vepronte ashtu ngaqë e donte partneren e tij më shumë se veten, shprehet dr. Morgentaler.

Pas çdo burri që sillet keq me një femër, ka 10 të tjerë që sillen në mënyrë delikate dhe që bëjnë më të mirën e tyre për të konsoliduar marrëdhënien me partneren.

Duket e pabesueshme, pa përmendur këtu pamundësitë fizike, por është plotësisht e mundshme për një mashkull të sajojë një orgazëm të rreme. Rrethanat dhe sekretet e mënyrës sesi ata e bëjnë këtë mbeten të panjohura, thotë dr. Morgentaler në një intervistë për revistën Salon.

Libri i akademikut të Harvardit jep një tablo mbi meshkujt, që ndihen në ankth rreth ereksionit të tyre, janë nën presion për sa i përket marrëdhënies seksuale dhe të shqetësuar në lidhje me kënaqësinë që do të përjetojë partnerja e tyre.

Një studim i fundit nga Universiteti i Kansasit zbuloi se 70 për qind e femrave dhe 30 për qind e meshkujve pranojnë të kenë falsifikuar një orgazëm.

Në studim, të dyja gjinitë jepnin të njëjtat arsye për shkakun që i kishte shtyrë drejt shtirjes. Kur personat e shihnin se partneri i tyre ishte shumë pranë orgazmës, atëherë ata ndiheshin të detyruar që ta ndiqnin në një mënyrë ose në një tjetër, duke hamendësuar kështu se po kalonin një orgazëm.

Raporti saktësoi se miti mbi aftësinë e meshkujve, që dhurojnë një orgazëm që trondit të gjithë botën, bën që si femrat edhe meshkujt të shtiren për të arritur sa më shumë pritshmëritë.

Dr. Morgentaler thotë se një arsye tjetër për rritjen e orgazmave të shtirura është ndryshimi i shpejtë i shoqërisë, që ka çuar në humbjen e identitetit dhe dobësimin e besimit te burrëria.

Ai përmend rastin e një 27-vjeçari paraplegjik, i cili nuk mund të ndiente asgjë nga mesi e poshtë. Dr. Morgentaler e trajtoi pacientin në mënyrë që, ai të mund të kryente lirshëm marrëdhënie seksuale. Nuk kaloi shumë kohë dhe 27-vjeçari u kthye te mjeku dhe iu rrëfye se personaliteti i tij kishte ndryshuar tërësisht. Gjithçka që ai mundi të thoshte ishte faleminderit doktor, ndihem mrekullueshëm, jam përsëri një burrë! Dr. Morgentaler shpjegon se pacienti ndihej në këtë mënyrë jo sepse merrte kënaqësi prej seksit, por sepse ai ishte në gjendje të kënaqte gruan e tij.

Akademiku shton se rreth 60 vite më parë, seksi konsiderohej si një detyrë e femrës dhe jo si një akt prej të cilit ajo supozohej të merrte kënaqësi.

Në ditët e sotme femrat jo vetëm që presin të kënaqen nga marrëdhënia seksuale, por arrijnë edhe të përzgjedhin mes meshkujve që u dhurojnë kënaqësinë më të madhe.

Këtë mendim dr. Morgentaler e ilustron me faktin se një pacient i tij me probleme në ereksion, shprehte shqetësimin se ai nuk do të ishte më në gjendje të gjente një partnere, për shkak se asnjë femër nuk do të preferonte një mashkull që si fal asaj kënaqësi.

Edhe meshkujt shtiren gjatë orgazmës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›