Këshilli bashkiak, bllokadë e dyfishtë
Udhëkryq
Largimi i Kosovrastit, skadon afati i kërkesës së PS-LSI, por shkarkimin e kryetarit e vendos prefekti
Të dhëna
Prefekti - Sipas legjislacionit në fuqi, prefekti është institucioni që bën miratimin përfundimtar të të gjitha vendimeve që merr këshilli bashkiak
Afati - Këshilltarët e mazhorancës në këshillin bashkiak vendosën një ultimatum, i cili skadoi dje, më 25 prill, për mbledhjen e këshillit dhe shkarkimin e kreut
Bllokimi - As mazhoranca e re në Parlamentin vendor dhe as përfaqësuesit e opozitës nuk mund të marrin dot vendime, në të dy rastet vendimmarrja është e bllokuar
Lorina Mixha
Këshilli bashkiak i qytetit të Tiranës nuk do të mblidhet deri në muajin qershor. Takimi mes anëtarëve të këshillit bashkiak nuk do të bëhet me siguri të paktën deri në zhvillimin e zgjedhjeve më 23 qershor. Krerët e Parlamentit vendor por edhe përfaqësuesit e bashkisë, të cilët ndihmojnë në zhvillimin e mbledhjeve periodike të institucionit nuk kanë bërë as më të voglën përçapje për të kënaqur anëtarët e këshillit bashkiak, përfaqësues të Partisë Socialiste por edhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me shkarkimin e kryetarit të këshillit Njazi Kosovrasti.
Dje ka qenë dita e fundit, dita e dhjetë kur këshilli duhet të mblidhej, pas kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e kreut aktual dhe emërimit e kreut të ri të propozuar, Aldrin Dalipi.
Mbledhja
Asnjë mbledhje nuk është njoftuar, nuk është zhvilluar asnjë takim, ndërsa dje, pas mbarimit të ultimatumit, nuk ka pasur as deklarata nga këshilltarët, të cilët firmosën shkarkimin e Kosovrastit dhe i dhanë ultimatum drejtuesve të këshillit për ta mbledhur atë brenda dhjetë ditësh. Aktualisht, këshilli bashkiak e ka humbur balancën, në fillim mazhorancën e këtij këshilli, në kohën e konstituimit të kryetarit të bashkisë Lulzim Basha, e bënte koalicioni i djathë, anëtarë të PD-së dhe LSI-së, ndërkohë që pas prishjes së koalicionit qeverisës, mes PD-së dhe LSI-së, tanimë mazhorancën e bën PS dhe LSI. Në të tilla kushte, këshilli bashkiak nuk parashikon të mblidhet për shkak se vendimmarrja në këtë këshill do të bëhet nga PS-SI dhe jo më nga PD-LSI. Për shkak të prishjeve të balancave, mbledhja e këshillit do të zhvillohet pas rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit, atëherë kur pritet të shihet edhe si do të rrjedhin ngjarjet e kush do të jetë në krye të qeverisjes së re qendrore.
Bllokimi
Deri në këtë kohë, bashkia e kryeqytetit nuk ka probleme për vijimin e punëve, pasi buxhetin e vitit 2013 deri në vitin 2015, këshilli bashkiak e ka miratuar, vendim kryesor në mbarëvajtjen e punës së kreut të bashkisë Lulzim Basha. Pavarësisht kësaj, për të mos cenuar prestigjin, por edhe për të mos përsëritur situatën e dy viteve më parë, mbledhja e këshillit bashkiak nuk do të zhvillohet. Basha ka humbur mazhorancën në këshill. Ky institucion mbetet po i bllokuar edhe në rast se anëtarët e Partisë Socialiste dhe të LSI-së mblidhen, shkarkojnë kryetarin aktual, zgjedhin kryetarin e ri. Sipas ligjit të pushtetit vendor, dhe rregullores për funksionimin e këshillit bashkiak, çdo vendim që merret në këtë këshill por edhe çdo procedurë që miratohet dhe votohet, duhet të shkojë për tu aprovuar dhe miratuar nga prefekti, që në këtë rast është anëtar i Partisë Demokratike. Keltis Kruja, kreu i prefekturës në të tilla kushte, parashikohet të mos miratojë apo të gjejë cene për të gjitha vendimet dhe ndryshimet që pretendon të bëjë këshilli bashkiak, mazhoranca aktuale PS-LSI.
Kjo situatë në të dy rastet bllokon punën, vendimmarrjen e këshillit bashkiak, si dhe sposton klimën politike nga qeverisja qendrore në atë vendore.
Këshilli bashkiak, bllokadë e dyfishtë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email