E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe në Shqipëri, hajdutët janë pakicë

Elton Leka/Pedagog

-Ka shumë probleme që shqetësojnë qytetin e Tiranës. Kohët e fundit ajo që shqetëson më shumë banorët e qytetit janë ndërtimet pa leje. Disa hileqarë, të cilët do t’i quaja me plot gojë hajdutë dhe keqbërës të pronës së përbashkët, janë duke ndërtuar pa u shqetësuar nga institucionet, por duke shqetësuar qytetarët. Kjo vjen për shkak se mungon prezenca e shtetit dhe mbizotërimi i ligjit. Kemi shumë denoncime, si në institucionet përkatëse, ashtu dhe nëpër rrjetet sociale me fotografitë e ndërtesave pa leje. Prandaj askush nuk mund të bëjë sikur nuk di apo nuk ka parë gjë. Këto nuk janë ndërtesa, por përbindësha mbi pronën e përbashkët. Për të blerë një shtëpi njerëzit punojnë gjithë jetën. Disa madje edhe duke punuar nuk arrijnë dot ta blejnë, ndërkohë që disa përfitues grabitqarë, ndërtojnë shtëpi në tarracat e pallateve, lulishte,  poshtë pallatit apo në bregdet. Këta përfitojnë miliona lekë në mënyrë krejt abuzive dhe të jashtëligjshme. Le të marrim një shembull për të kuptuar më mirë se sa para përfiton një individ nga një ndërtim pa leje. Vetëm në zonën e Tiranës së Re po lulëzojnë përbindëshat mbi tarraca. Metri katror në këtë zonë është mesatarisht 1500 euro. Një apartament me sipërfaqe 200 metra mbi tarracë kap një vlerë 300 mijë euro. Pra, përfituesi grabitqar vjedh në kurriz të pjesës tjetër 300 mijë euro me vetëm 10 mijë euro investim që ai bën për ta ngritur përbindëshin. Ky hajdut, (dua ta konsideroj hajdut, sepse i tillë është pasi ka vjedhur pronën e përbashkët që është tarraca) jo vetëm përfiton nga ana financiare, por vë në rrezik dhe vetë ekzistencën e pallatit. Kjo për shkak se ai ndërtim nuk respekton asnjë parametër arkitekturor dhe inxhinierik. Pra, është detyrë e shtetit të prishë dhe të pastrojë këto objekte, duke i ndëshkuar edhe penalisht ata që ndërtojnë pa leje. Ajo që po vërejmë këto ditë është fakti që edhe pse mund të prishet ndonjë objekt pa leje asnjëri prej personave që ndërtojnë ilegalisht nuk arrestohet. Hajdutët e pronës së përbashkët duhet të konsiderohen njëlloj si ata që vjedhin çantat apo varëset e floririt në rrugë, ndoshta edhe më keq, pasi përfitimi nga ndërtimi pa leje është shumë herë më i madh sesa vlera e një varëse apo e një çante të vjedhur. Shumë analistë shprehen se “asnjë qeveri nuk ia ka dalë. Jo se nuk ka dashur, por se nuk ka mundur. Shoqëria jonë nuk është e përgatitur për këtë gjë”. Por e vërteta është që qeveritë e Berishës nuk kanë dashur, prandaj nuk kanë mundur, pasi ata që ndërtojnë pa leje janë shumë më pak se ç’mendon ndonjë analist. Në një pallat prej 100 familjesh ai që ndërton është vetëm 1, që do të thotë 1 %. Pra, hajdutët janë minorancë ndërsa pjesa tjetër është e ndershme, prandaj dhe shteti duhet të mbrojë 99 % të ndershmit nga 1 % i pandershëm. Këtë detyrë qeveria në ikje nuk arriti dot ta kuptonte pasi mendonte që duke i lënë këta të grabisin, do të përfitonte vota. Në fakt është krejt e kundërta pasi pjesa e ndershme e popullsisë u cenua nga kjo gjë, prandaj dhe nuk e votoi, por e ndëshkoi për politikën e ndjekur. Ndryshe nga sa mendon ndonjë analist, shoqëria shqiptare nuk është 1 %, por 99 % e ndershme dhe kjo shoqëri gjithmonë ka vuajtur nga 1 % i pandershëm ku bën pjesë dhe një pjesë e mirë e qeverive të kaluara. Është detyrë e qeverisë së re, që të vendosë rregullin dhe të mbrojë qytetarët e ndershëm nga qytetarët e pandershëm.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›