E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edhe sa Arlinda?”, protestuesit në Pejë kërkojnë përgjegjësi nga Policia, Gjykata dhe Prokuroria

PRISHTINË, 30 tetor/ATSH/ “Edhe sa Arlinda”, ”Drejtësi për Arlindën” dhe “Komuna e Pejës i ka duart me gjak” ishin disa nga thirrjet me të cilat u përcoll protesta e sotme në Pejë, në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn, raporton KosovaPress.

Arlinda Zekaj u vra të dielën, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari kryesor është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Drejtësi dhe përgjegjësi për vrasjen e saj u kërkuan në Pejë, në protestën së cilës iu bashkuan edhe qytetarë nga qytetet e tjera.

Filiza Mahmutaj, njëra nga protestueset para Komunës së Pejës, kërkoi llogaridhënie dhe sqarime nga institucionet e qytetit, të cilat po akuzohen nga qytetarë në mbarë Kosovën për neglizhencë në trajtimin e rastit.

Aktivistja Erza Elezaj e bëri Policinë e Pejës përgjegjëse për rastin e Arlindës, duke theksuar se:

Marshi vazhdoi drejt Gjykatës Themelore në Pejë, ku Nora Taraku ngriti disa pyetje lidhur me vendimin e 16 tetorit 2026 për caktimin e masave të ashtuquajtura mbrojtëse për Arlinda Zekajn.

Ajo tha se gjyqtari Migjen Kastrati kishte nxjerrë një aktvendim që, sipas saj, ishte pa sens dhe kontradiktor, si dhe tejkalonte të gjitha afatet e përcaktuara me ligj.

Sipas saj, Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje parasheh që pala përgjegjëse, përkatësisht i akuzuari, të largohet nga hapësira e përbashkët e banimit, ndërsa kujdestaria t’i jepet përkohësisht palës së mbrojtur, deri në vlerësimin e sigurisë së fëmijëve. Megjithatë, gjyqtari kishte vendosur që i akuzuari për dhunë të qëndronte në shtëpi, duke mbajtur vetëm një distancë prej dy metrash.

Protesta përfundoi para Prokurorisë Themelore, ku Elena Morina ngriti shqetësime lidhur me trajtimin e rastit nga organet e prokurorisë.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra në fund të tetorit 2026, ndërsa i dyshuari kryesor është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Para vrasjes, viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj. Në një parashtresë drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë, më 22 tetor, ajo kishte shkruar: “Uroj të mos jepni llogari pasi të më merret jeta”.

Rasti ka ngritur dyshime serioze për neglizhencë institucionale, veçanërisht lidhur me vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e viktimës.

Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndërsa janë kërkuar hetime për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.

Vrasja ka shkaktuar protesta në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, ku qytetarët kanë kërkuar drejtësi për Arlindën, hetim të plotë dhe llogaridhënie nga Policia, Prokuroria, Gjykata dhe institucionet e mirëqenies sociale.

Sipas raportimeve të 30 tetorit, përveç 11 policëve, janë suspenduar përkohësisht edhe kryeprokurorja e Pejës dhe një prokurore e përfshirë në trajtimin e rastit. Kuvendi ka themeluar gjithashtu një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar lëshimet e mundshme institucionale. Ndërsa sot (30 dhjetor) dorëheqje dha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Çështja kryesore mbetet nëse vrasja mund të ishte parandaluar, duke marrë parasysh paralajmërimet e viktimës, urdhrat mbrojtës dhe kërkesat e mëhershme për ndihmë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›