Edi Hila
Më parë, piktura e tij ka qenë e mbështetur mbi ëndrrën, fantazinë, temat e fëmijërisë, kujtimet, nostalgjinë e së shkuarës... tashmë duket se ka kaluar në një fazë tjetër të krijimtarisë, atë të realizmit. Edi Hila mendon se një artist ka detyrime karshi artit të tij, të cilat mund t’i shlyejë edhe përmes vrojtimit të thellë të realitetit. është një fazë kjo e cila ka nisur me kohë në të vërtetë dhe që është bërë e njohur për publikun e huaj, ndërsa për atë shqiptar, vjen për herë të parë me një ekspozitë e cila u çel dje në ambientet e galerisë “Zeta” në Tiranë. E titulluar “Ndër kohë”, kjo ekspozitë sjell disa tablo, të pakta në numër, të cilat përcjellin për publikun çaste të rrëmbyera nga jeta e zakonshme. Objekte në dukje krejt të parëndësishme, por që nëse i sheh në një kontekst të caktuar atëherë ato marrin tjetër dimension, zhvillohen dhe përcjellin një mesazh të fuqishëm. “Disa tablo në këtë ekspozitë kanë qenë rezultat i të përjetuarit në mënyrë të rastësishme të situatave krejt të veçanta”, thotë piktori Edi Hila. Ai shpjegon në të njëjtën kohë edhe pse ka zgjedhur ta quajë “Ndër kohë” këtë ekspozitë. “Kam zgjedhur këtë titull, sepse edhe procedura e punës që kam ndjekur, ka qenë pak e gjatë dhe e pa orientuar në një ide apo në një koncept të përcaktuar. Kjo punë filloi qysh një vit më parë, në vitin 2009 dhe vazhdoi tablo pas tabloje derisa konstatova se mes tyre kishte një lidhje, një logjikë e cila në mënyrë intuitave më ka çuar në të njëjtin drejtim”, vijon më tej ai. Më tej, piktori vazhdon duke bërë të njohur edhe dimensionin e saj realist, që në të vërtetë është edhe arsyeja kryesore, thelbi i kësaj ekspozite. “Mendoj që realizmi është një ndër periudhat më interesante të zhvillimit të historisë. Në përgjithësi realizmi ka qenë një moment delikat shpeshherë, ai i ka nxjerrë telashe sidomos diktaturave”, komenton ai. Këtë periudhë të krijimtarisë së tij, këtë drejtim, kah realizmi, Edi Hila e quan më shumë si një shqetësim të ri, të cilin nuk a ka pasur më parë ndaj edhe e konsideron si një moment që duhet ta zhvillojë më tej. Sipas tij, realizmi në Shqipëri ka qenë Realizmi i periudhës së diktaturës që kishte edhe prapashtesën “socialist”, çka do të thotë se ishte një realizëm i ndërtuar mbi një ideologji të caktuar. Kishte kritere, rregulla që po të dilje jashtë tyre, atëherë nuk ishe i pranuar dhe vepra kritikohej. “Mendoj se tamam në atë kohë, nëse do të duhej të luftohej diktatura, ajo duhej të bëhej përmes realizmit. Unë mendoj se realizmi është një moment i cili hap diskutimin, të çon drejt analizave, merr për subjekt atë çka ndodh në jetën tonë të përditshme, sidomos në një realitet me shumë paradokse si ky i yni. Nuk besoj se ka realitet më të fuqishëm, me më shumë ngarkesa paradoksale sa ky i yni, paradokse që në fakt mund të shërbejnë në mënyrë absolute për krijimin e veprave të fuqishme, me shprehi të jashtëzakonshme”, thotë piktori. Sipas Zef Pacit, në pikturat e ciklit të sapoekspozuar të Edi Hilës, ndjehet një kujdes, që në momentin e impaktit, të ndeshesh me “pamje të paplota” te të cilat nuk mund të hyhet lehtë e që nuk tregojnë përnjëherë se si duhet të reagohet kundrejt imazhit. Ai shton më tej se në këto punime ndjehen situata të pezullta, si të hukatura prej një pranie kërcënuese. Kjo mund të vijë nga një mjedis a gjendje e krijuar nga vetë njerëzit, e që më mbrapa u kthehet si një bumerang, duke përmbushur shpagimin e duke i aksidentuar vetë ato. Pikturimi i objekteve të zakonshme, diku buzë rrugës, është një mundësi për autorin të shprehë marrëdhënien kryeneçe e misterioze që bashkon emocione dhe ide, pikëpamje që janë larg nga një realitet i rikrijuar. Hila pikturon gjëra që rrjedhin prej faktesh fizike, ashtu edhe filozofike të realitetit shqiptar. “... shpeshherë duke parë së largu punën e nisur, ndjen që je ndalur në vendin e duhur... pa e kuptuar as vetë, pa menduar paraprakisht se çfarë do të pikturoj, tablo pas tabloje, zbulova se të gjitha i bashkonte i njëjti shqetësim”, shprehet piktori. Ajo çka përjeton artisti nuk është vetëm një makth, ëndërr e frikshme, që do të fashitet pas pak, por një zhgjëndërr e trishtë pa ndonjë shpresë të madhe shërimi, një tranzicion i përhershëm që s’di të mbarojë kurrë. “Objektet dhe ngjarjet janë ambientuar në një atmosferë të ngarkuar emocionale, ku ankthi i pritjes së gjatë i lë vend aspiratës shekullore të komunikimit dhe pjesëmarrjes me të tjerët, drejt së cilës duhet të shkojmë ashtu siç duhet”, përfundon Zef Paci.
#