E Diel, 1 Nëntor 2026

Holandë, zgjedhjet e parakohshme: votuesit, pro shkurtimeve të buxhetit

Fiton Partia Liberal-Demokrate e Mark Rutte

Ndërsa në të gjithë Europën qytetarët janë duke dalë në rrugë për të kundërshtuar masat e qeverisë për shkurtimet e shpenzimeve buxhetore, në Holandë partia që ka bërë fushatë për realizimin e këtyre masave ka marrë paradoksalisht mbështetjen e shumicës në zgjedhjet e përgjithshme. Zgjedhjet e përgjithshme të së mërkurës kanë qenë një tregues i mbështetjes së madhe që i kanë dhënë holandezët Partisë Liberale probiznesit dhe mesazhit shumë të qartë që ajo përcolli të shkurtimit të shpenzimeve buxhetore.

Në mesin e një krize shumë të madhe ekonomike e financiare dhe mbi të gjitha të monedhës së përbashkët, holandezët që votuan në zgjedhjet e parakohshme e shmangën pak vëmendjen nga çështja e emigracionit dhe u përqendruan në atë parti që ofronte edhe marrjen e masave për rikthimin e mirëqenies ekonomike në vend. Si rezultat fituan liberalët që drejtohen nga fotozheniku 43-vjeçar Mark Rutte. Ai madje ka qenë një nga parashikuesit e krizës ekonomike para se ajo të shpërthente dhe për këtë njerëzit i japin një meritë të veçantë. Por pavarësisht një popullariteti shumë të madh, ai nuk ka arritur të marrë një fitore të drejtpërdrejtë dhe për këtë shkak është në kërkim të krijimit të koalicionit më të mundshëm qeveritar për të drejtuar vendin në 4 vitet e ardhshme. Si lideri i partisë që ka fituar shumicën e Parlamentit me 150 vende, Rutte do të synojë të drejtojë qeverinë e ardhshme, por për këtë ka ende për të bërë dhe në rast se do t’ia dalë mbanë atëherë Holanda për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore do të drejtohet nga një Kryeministër liberal. çështja për Rutte është nëse do të dojë që të vendosë të bashkëpunojë me fituesin tjetër të madh të zgjedhjeve, me partinë antiemigracion dhe liderin e saj, Geert Wilders. Partia e Lirisë, e cila merr pjesë vetëm për herë të dytë në zgjedhjet e përgjithshme pas themelimit të saj në vitin 2005, ka siguruar 16% të votave, duke marrë nga 9 në 24 vende në Parlament dhe duke u konsoliduar edhe më tej si forcë politike në vend. Vetë Wilders e konsideroi ditën e fitores një ditë të lavdishme dhe kërkoi që të përfshihej ne koalicionin qeverisës, duke qenë se tashmë përfaqëson një pjesë të mirë të holandezëve dhe nuk mund të injorohet. Suksesi i Rutted e Wilders dhe axhendat e tyre respektive, përfaqësojnë një fenomen relativisht të ri në politikën holandeze. Votuesit ndihen të pasigurt dhe të paqartë me politikanët e tyre dhe kjo si për çështjet ekonomike ashtu edhe për ato kulturore.

Nëse kryetari i partisë që fitoi do të refuzojë të punojë me Wilders, atëherë opsioni i dytë që ai ka në dispozicion janë laburistët, por edhe ata nuk kanë një numër të mjaftueshëm për të bërë shumicë, ndaj do t’u duhet edhe një parti tjetër për t’u plotësuar. Gjithsesi, cilado që të jetë formula e koalicionit të ardhshëm, e cila sipas fituesit të zgjedhjeve do të dalë shumë shpejt, nuk do të jetë i lehtë për t’u menaxhuar dhe me siguri që do të jetë burim tensionesh.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›