E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama nuk ka më imunitet

EDI LESI

Në politikë, në përgjithësi shihet vetëm maja e ajsbergut, dhe çka është masivi i madh, pra çka ngjet në të vërtetë, nuk thuhet, ose fshihet. Por, Edi Rama e ka përmbysur këtë model duke e kthyer malin e akullt në anën tjetër. Është tani fare e qartë se kryetari i Partisë Socialiste nuk e dëshiron heqjen e imunitetit për deputetët, një kriter i kërkuar nga Komisioni Europian në prag të vlerësimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit. Heqja e imunitetit është jo vetëm një kriter teknik, pra një letër më shumë në dosjen burokratike të Brukselit, por një inkurajim i luftës ndaj korrupsionit dhe një shkurajim i abuzimit.
Me deklaratën e bërë dje para medias, ku Rama bën të ditur se nuk do ta votojë më 6 gusht projektin, duket se kanë rënë përfundimisht edhe argumentet e tij për shtyrjen deri tani të votimit të draftit në Kuvend. Në fillim u shpreh se heqja e imunitetit ishte urgjente, në krye të të gjithave, se do të vendosej para zgjedhjes së Presidentit. Një fjalë e thënë publikisht që nuk u mbajt. Më pas shpalli rezerva për përmbajtjen e ligjit. Edhe ky kontestim nuk qëndron më, pasi palët tashmë ranë dakord, çka u pohua po dje nga z. Majko në emër të PS.
Argumenti i ri është se këtë ndryshim të Kushtetutës do ta bëjmë me vonë, pasi duhet kohë dhe seriozitet për amendimin e ligjit themelor, ku të përfshihen edhe korrektime të tjera. Më vonë do të thotë pretendime të reja, kushte të reja. Më vonë, do të thotë asnjëherë.
Kush e ka memorien të pacen, e di se nuk është Rama njeriu që e merr shumë seriozisht Kushtetutën. Madje ai ka në kurriz peshën e mëkatit fillestar, pasi ishte frymëzuesi i hartimit të Kushtetutës së re vetëm për 24 orë.
Mund të jetë në modë për paradoks sulmi ndaj opozitës, dhe këtu ka të drejtë që ankohet z. Rama, por në këtë rast, të gjitha arsyetimet të bëjnë të drejtosh gishtin nga kryesocialisti.
Është e qartë se heqja e imunitetit po shihet nga Rama në një kontekst tjetër, pra më së shumti personal. Ai po merr në analizë pasojat që do të sjellë brenda vendit, më saktë brenda Partisë Socialiste, miratimi i këtij ligji, sesa efektet që do të sillte eventualisht për vendin.
Me plotësimin e kritereve teknike të kërkuara nga BE, Shqipëria ka shumë shanse të kualifikohet si vend kandidat për në BE. Ky moment fatlum për vendin rrezikon të mos jetë i këtillë për karrierën e z. Rama. Me marrjen e statusit të vendit kandidat, maxhoranca, edhe sikur të dojë të mos e shfrytëzojë rastin për efekte elektorale, sigurisht se shkon me një ofertë të re para qytetarëve. Një situatë e disfavorshme për rivalin në opozitë.
Në peshore janë ëndrra për tu bërë Kryeministër dhe, më anë tjetër, ëndrra europiane e Shqipërisë. Zgjedhje e vështirë për Ramën, por jo e tillë për një lider politik.
Nëse është vërtetuar dhe konfirmuar publikisht edhe nga vetë PS se drafti është në rregull, i pranueshëm nga të gjithë, atëherë fitojnë më shumë terren dhe besueshmëri denoncimet e Berishës se Rama e ruan imunitetin për këshillin e tij të miliarderëve. Dhe kjo është një vetëvrasje politike për një kryetar partie kur jep me dorën e tij argumente për akuzën e bërë nga kundërshtari.
Mos vallë me të vërtetë vëllazëria e pasanikëve të PS shqetësohet nga të qenit pa imunitet, sepse mbrojtja dhe paprekshmëria është arsyeja kryesore pse kanë ngarendur drejt Parlamentit, dhe jo dëshira e madhe për të përfaqësuar popullin, për të zgjidhur hallet e tij, për të zhvilluar eukaristikën, shpalosur oratori e vizion para foltores së sovranit? Tani që Rama vetë na e ka bërë më të besueshme këtë hipotezë, atëherë mund të thuhet pa droje se para kësaj pyetjeje kryesocialisti ka mbetur pa imunitet. Nuk ka më apologji.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›