Punë të mbarë, Zoti President!
Sot Shqipëria u gdhi me një president të ri. Nga zemra e çdo bashkatdhetari që i dhimbset kombi dhe e ardhmja e tij, le të dalë urimi: Punë të mbarë, zoti Bujar Nishani, Presidenti i Ri i Shqipërisë! Të vajttë mbarë në detyrën e vështirë, por fisnike, që ke marrë përsipër!
Dje dhe sot, vendi, bashkë me të, gjithë trojet etnike e diaspora shqiptare në botë, i kanë kthyer sytë në Tiranë. Çasti që përjetuam në ceremoninë parlamentare të marrjes së detyrës së lartë, ishte sa solemn e ceremonial, aq edhe familjar e miqësor. Çdo shqiptar, në dejtë e të cilit rrjedh gjak i pastër shqiptari, përjetoi me emocion betimin aq shumë të pritshëm të Presidentit Nishani përpara Ligjit Themeltar, Kushtetutës së Republikës.
Mandati i ri pesëvjeçar i jetës normale të Institucionit më të lartë të shtetit, atij të Presidencës, tashmë ka hapur një erë të re, bash në mbyllje të shekullit të parë të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin e vet të njëqindtë. Ky oguri i madh është njëherësh sinjal i drejtpërdrejtë ndaj të gjitha institucioneve kushtetuese ose jo kushtetuese të shtetit, po të mbajmë parasysh zbrazësitë ligjore që u krijoi atyre mandati pesëvjeçar paraardhës. Të qëllimshme, asnjëherë të paqëllimshme, në vijimësi të kursit politik që zgjodhi ish-presidenti Topi, si edhe të stafit të paaftë që mblodhi rreth vetes, një mori ligjesh të hartuara e të miratuara nga ligjvënësi përmes debatesh e përplasjesh pafund me një opozitë tejet destruktive, nuk patën fatin të jetësoheshin asnjëherë ose u jetësuan pas peripecish dhe ecejakesh maratonike prej njërës portë, në tjetrën, të të dyja institucioneve më të larta kushtetuese të shtetit, Presidencës dhe Parlamentit. Mbingarkesë e mundimshme, djegie energjish të panevojshme, humbje kohe absurde për një vend të dalë vetëm dy dekada më parë nga njëra prej diktaturave komuniste më të egra që ka njohur historia e lashtë e Europës.
Pesë vjet pa president ose, më saktë, me një të ashtuquajtur president që më shumë iu përkushtua vetvetes dhe interesave vetjake, sesa atyre ndaj të cilëve u betua dhe e detyronte Ligji Themeltar, nuk ishin pak. Ishin pesë vjet dëmi, jo dobie për proceset demokratike të vendit. Me të drejtë, shqiptarët presin që, prej sot e tutje, ta shohin Presidentin e Ri të shtetit amë jo vetëm si garant të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe si politikan të zhdërvjelltë të përmasave mbarëshqiptare, jashtë interesave të çastit të partive politike, largpamës e gardian të interesave mbarëkombëtare, të çështjes sonë ende të pazgjidhur. Ky do të ishte konsensusi më domethënës paszgjedhor për presidentin Nishani, më i gjëri konsensus që mund të jepnin palët e rreshtuara në Parlamentin e Shqipërisë sipas anësive politike, gjatë ditëve të nxehta të fillim-qershorit që lamë pas. Cicmicet dhe pengesat e njëpasnjëshme që u ngriti opozita e majtë ofertave të koalicionit qeverisës për një president konsensual, sikurse edhe lëshimeve të shumicës në pushtet lidhur me zgjedhjen e një presidentit sipas kërkesave të faktorit ndërkombëtar, intuita atdhedashëse shqiptare iu përgjigj me zgjidhjen më optimale të mundshme, duke shmangur rrezikun që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, drejt greminës. Sot e tutje, në rrugën e reformave të kërkuara nga BE-ja, do të kemi një pengesë më pak për jetësimin e tyre. Padyshim që edhe rruga do të jetë më e shkurtër, pa zikzake. Përvoja e Zotit Nishani si burrë shteti, përkushtimi i tij ndaj detyrës dhe arritjet si drejtues institucionesh nga më të lartat, arritje lehtësisht të lexueshme, në mos të prekshme nga çdo qytetar, janë prova të padyshimta që na bëjnë të besojmë se Shqipëria do të ecë në një trase më të sigurtë, sesa ajo në të cilën u end pa busull gjatë mandatit pesëvjeçar të ish-presidentit Topi.
Tashmë, nuk pret koha e mbetur për të përshkuar rrugën deri në dyert e BE-së. Afatet janë shkurtuar tek s’mban më, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ndjek dhe vëzhgon me vëmendje çdo hap të institucioneve tona kushtetuese, s’do mend, edhe atë të Presidencës. Mbi të gjitha, reformat e kërkuara prej partnerëve tanë euroatlantikë, përveç vullnetit politik të palëve, kërkojnë edhe përkushtimin atdhetar të Presidentit mbi palët. Ndërkohë, kemi përballë kundërshtarë politikë pa skrupuj moralë, të cilët, për interesat e ngushta të një grushti miliarderësh që i kanë vënë lakun në fyt liderit të tyre, janë gati ta hedhin vendin në aventura, ndoshta, më të rrezikshme se ato të 1997-s. Shembujt nuk mungojnë. Kujtimi i 21 janarit është ende i freskët. Na ndjekin ende hap pas hapi sekuencat televizive të asaj dite të zezë, kur lideri i opozitës drejtonte me shenja një grusht gueriljesh qytetare të stërvitura s’dihet ku, të irrituara e të ndërsyera ndaj Policisë së Shtetit e Gardës së Republikës, për të dhunuar Kryeministrinë. Të mos harrojmë ne, të mos harrojë edhe Presidenti i Ri, si Garanti Kushtetutës, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë a si Komandat i Forcave të Armatosura të Republikës, se shkaktarët dhe shtytësit e gjakderdhjes së 21 janarit janë ende të lirë, i shohim përnatë në ekrane të televizorit, në Parlament. Ndeshemi me ta përditë në kafene, në rrugë etj. sidomos me militantët provokatorë që nuk i morën dot fytet e premtuara të grusht-shtetit. Ata përpiqen me rrugë të ligjshme e të paligjshme të kushtëzojnë reformën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë me pazare politike në dëm të Kushtetutës, duke i dalë në mbrojtje korrupsionit; t’i imponojnë ligjvënësit vullnetet e tyre kobndjellëse për të shtënë në dorë institucionet e drejtësisë, që nga gjykatat e prokuroritë lokale, te Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit, siç shtinë Institutin e Avokatit të Popullit, ose shërbimet inteligjente, çka do të thotë rrënim i arritjeve demokratike të këtyre dy dekadave, kredhje e vendit në një diktaturë të re neokomuniste.
Detyra që ka marrë përsipër zoti Nishani, nuk është e lehtë. Përkundrazi, ajo është tepër e vështirë. Por jemi të bindur se me këmbënguljen që e karakterizon, me vullnetin që ka treguar si politikan dhe me staturën e një burri shteti të sprovuar, duke u mbështetur në pjesën dërmuese të shoqërisë sonë proeuropiane, do ta mbyllë me nder mandatin e tij të parë. Duke qenë ende tepër shpejt t’ia dëshironim një mandat të dytë, le t’i urojmë plotgojën: Punë të mbarë, zoti President!