Edi Rama: Gënjeshtrat e Berishës me bilancin 7-mujor
TIRANË- Partia Socialiste ka ballafaquar dje të dhënat 7-mujore të publikuara nga kryeministri Berisha me faktet konkrete që japin raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një dalje të posaçme për mediat, deklaroi dje se FMN përmes një raporti të saj paraqet një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që prezantoi Kryeministri në analizën e tij 7-mujore. Duke u ndalur në treguesit konkret, kreu socialist theksoi se shifrat e FMN-së konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Europian. “Në treguesin e korrupsionit Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbaxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë”, - tha Rama. Përsa i përket treguesve në lidhje me zbatimin e ligjit dhe rendit publik, selia rozë duke iu referuar pikërisht të dhënave të FMN-së shprehet se edhe në këto drejtime Shqipëria mbetet përsëri nën nivelin e atyre vendeve që për nga të ardhurat renditen poshtë Shqipërisë. “Raporti konfirmon, përmes shifrave se treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, është përkeqësuar në mënyrë alarmante”, - tha Rama. Ndërkohë PS vlerëson se edhe ritmet e rritjes ekonomike të vendit tonë për këto tre vite qeverisje të djathtë janë më të ulëta se rezultatet që ka shënuar Shqipëria në këtë drejtim për çdo periudhë kohore gjatë qeverisjes socialiste 1998-2005. “Krahasuar qoftë me vendet me të ardhura të ulëta e qoftë me ato me të ardhura të mesme, del fare qartë se Shqipëria, jo vetëm mund e duhet të ketë një ritëm rritjeje ekonomike më të lartë në këtë fazë të ecjes së saj drejt një ekonomie tregu të konsoliduar, por edhe që Shqipëria sot është në duar të paafta dhe po humbet kohë shumë të çmuar në raport me zhvillimet ekonomike në Ballkan e në Europë“, - tha kreu socialist. Tregues tepër negativ paraqiti shefi i selisë rozë edhe për sa i përket deficitit, i cili sipas tij gjatë vitit të fundit ka arritur nivelet më të larta negative në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. “Raporti konfirmon përmes shifrave kuptimplota deficitin më të lartë të të gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar - minus 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto shifra tregojnë qartë se të gjitha deklaratat qeveritare e kryeministrore për rritjen e prodhimit vendas, sidomos atij bujqësor, dhe për uljen e importeve, janë vetëm vulgaritet propagandistik në përpjekjen për të mbuluar me gënjeshtra të bujshme plagë tepër të rënda, e sidomos plagën e fshatit shqiptar”, - tha Rama. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se raporti FMN-së konfirmon, përmes treguesish kokëfortë, se liritë e biznesit në Shqipëri janë më të kufizuara se në vendet e tjera. “Kjo është tejet shqetësuese në përgjithësi, por mjafton shembulli i rëndë për eksportet, të cilat për periudhën 2005-2007 arritën në rreth 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, - tha Rama. Për kreun e opozitës gjendja është krejt ndryshe nga ajo që paraqiti Kryeministri edhe në sektorin energjitik, ku evidenton kryesisht keqmenaxhimin e kontrollit mbi të ardhurat dhe shpenzimet. “Mbledhja e të ardhurave të KESH-it sipas raportit ka rënë deri në më pak se 50% duke e kompromentuar tërësisht performancën financiare të korporatës më të rëndësishme të vendit dhe duke bërë që zgjidhja e vetme të jetë rritja e vazhdueshme e tarifave të energjisë elektrike në kurriz të familjeve shqiptare”, - tha Rama. Ai ka theksuar midis të tjerave se, pavarësisht përbetimeve të Kryeministrit për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, ato përsëri mbeten në nivelin e shpenzimeve të kryera edhe gjatë qeverisjes socialiste përgjatë viteve 2002-2005. “Vetëm për qokat e kota ndërkombëtare të spikeres së Kuvendit Jozefinë, shqiptarët kanë paguar 500 mijë kilometra fluturime rrotull planetit”, - tha Rama.