“Edi Rama, autor i certifikuar i dhunës” – Tedi Blushi: Parlamenti ka humbur funksionet, ai i vërteti ndodhet në shesh! Bashkim opozitar? Duhet unitet kombëtar, kush e trajton protestën për Like e Views…
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi theksoi se Parlamenti ka humbur të gjitha funksionet dhe se institucioni i vërtetë ndodhet tashmë në shesh, duke iu referuar qytetarëve dhe studentëve që kanë dalë kundër Edi Ramës.

Në një intervistë për News24, ai theksoi se Parlamenti duhet të shkrihet sepse është kthyer në një “rrobaqepësi” të kryeministrit Rama, sepse po bën vetëm ligje për interesa të tij politike dhe kriminale. Ai shtoi se Parlamenti de facto ndodhet në rrugë.
“I vetmi autor i dhunës është Edi Rama. Parlamenti i vërtetë sot është në bulevard, në sheshet e Tiranës. Sa i përket parlamentit de jure, nuk meriton të ekzistojë më sepse i ka humbur të gjitha funksionet sepse është kthyer në një rrobaqepësi të Ramës, që qep ligje me porosi në interes të klanit të tij mafioz dhe për llogari të veta kriminale e politike. Nuk ka miratuar asnjë ligj në funksion të interesit publik.
Një klub i marrë peng nga 83 Diella të Edi Ramës, plus 3 të tjeë të caktuara po prej tij. Ai parlament duhet të shkrihet, djegur dhe shpërndarë përsa kohë në të cilin nuk respektohen të drejtat kushtetuese të opozitës por ka humbur llogaridhënia. Parlamenti de facto i Shqipërisë është në rrugë dhe sheshe. I vetmi autori i dhunës shtetërore dhe barbare është Edi Rama.”, tha Blushi.
Blushi shtoi se është e nevojshme që të bashkohen të gjithë për të adresuar “emergjencën kombëtare”, referuar largimit të qeverisë së Ramës.
“Të gjithë shqiptarët që duan largimin e qeverisë duhet të jenë në një front. Në krizën më të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, çdo përkaësi politike dhe çdo tentativë për të përjashtuar këdo nga e drejta legjitime e protestës, i shërben vetëm Edi Ramës. Shoh vetëm një trup solid të të gjithë atyre shqiptarëve të ndershëm që ka ardhur koha të bashkohen për të mundur të keqen e madhe të këtij vendi”, shtoi Blushi.
I pyetur për një bashkim opozitar, ai theksoi se është i nevojshëm një unitet kombëtar, por shtoi se kush shkon në protestë për të marrë “Like” në rrjete sociale, po i shërben vetëm kryeministrit Rama.
“Nuk kam tagrin të flas në emër të të gjithë opozitës. Nuk po kërkoj shkrirjen e partive opozitare, por bashkim. Çdo ditë më shumë që mungon ky vullnet do të thotë një ditë apo orë më shumë i qëndrimit të Ramës në pushtet. Si aleancë e partive opozitare, iu kemi bërë thirrje mbështetësve tanë të mos dalin me simbole partiake në protestë. Kjo është betejë kombëtare për shporrjen e një kanceri. I vetmi simbol që duhet të bashkoj shqiptarët është flamuri kombëtar pavarësisht përkatësive politike. Edhe unë kam dalë në protestë por nuk jam nga ata deputetë që pëlqej t’i bëj foto vetes duke u zënë me policët apo duke bërë sikur po ndihmoj disa protestues. Kjo nuk është beteje likesh, Reels por betejë për të shpëtuar Shqipërinë. Kush e trajton këtë protestë për like e views iu shërben vetëm Edi Ramës”, shtoi ai.